Ndërlidhjet

Kosova s’ka pse ndjek shembullin e Serbisë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Prishtina do të duhej të ratifikonte marrëveshjen me Beogradin, pavarësisht nëse Serbia vendos që atë të mos e kalojë në procedurën e ratifikimit, thonë ekspertët e çështjeve kushtetuese dhe të Drejtës Ndërkombëtare.

Zyrtarët në Beograd, në disa raste e kanë përsëritur se Kuvendi i Serbisë nuk do të ratifikojë marrëveshjen me Kosovën pasi që nuk e njeh atë si shtet dhe rrjedhimisht nuk ia njeh as subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Ishte kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsa Stefanoviq ai i cili tha se “është më se e sigurt që në parlamentin serb nuk do të ketë ratifikim të marrëveshjes, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”.

Por, profesori, Riza Smaka, ekspert i çështjeve kushtetuese thotë se pavarësisht sjelljeve të Serbisë, Kosova duhet të tregohet serioze dhe t’i respekton aktet dhe normat juridike e kushtetuese.

“Çdo marrëveshje ndërshtetërore duhet të ratifikohet për të hyrë në fuqi dhe prodhuar efekte juridike”, thotë profesori Smaka.

Ai pret që kryeministri ta paraqesë marrëveshjen finale me planin e zbatimit në Kuvend dhe pas debatit ajo t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit.

“Unë gjykoj se vendi ynë do të duhej ta ratifikonte pa marrë parasysh se çfarë e si do të vepronte Beogradi politik, sepse me këtë do të tregonte pjekuri politike, seriozitet politik, një shtet që i përfillë rregullat ndërkombëtare”, ka thënë Smaka.

Ndërkohë, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se ratifikimi është konfirmim retroaktiv i aktit apo marrëveshjes së arritur në procesin negociues.

Edhe Hoti, pret që palët ta ratifikojnë marrëveshjen, ndërkaq abstenimin eventual për ratifikim ai e sheh si një akt të pandershëm.

Kosova nuk ka asnjë arsye të vetme që të ndjek rrugën e Serbisë. Në parim krejt këto çështje janë të rregulluara me kushtetutat e secilit vend. Në rastin e Kosovës këto llojet ë marrëveshjeve duhet që patjetër që të marrin ratifikimin apo vizën nga Parlamenti”, ka thënë Hoti.

Profesori Afrim Hoti thotë po ashtu se aktet më të larta juridike e përcaktojnë qartë çështjen e ratifikimit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, edhe pse Beogradi, vijon ai, mund të thirret në një mundësi juridike e cila lejon që marrëveshjet në disa raste, të mund të kalojnë edhe pa ratifikim.

Disa marrëveshje mund të kalojnë apo të hyjnë në fuqi edhe pa ratifikim nëse lidhen nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit, duke përfshi presidentin dhe kryeministrin, me kusht që këto marrëveshje nuk kanë kaluar kompetencat dhe autorizimet që kanë këto dy autoritete”, ka theksuar Hoti.

Te marrëveshjet ndërkombëtare palët marrin përsipër obligime të cilat duhet t’i respektojnë. Përmes tyre, shtetet tregojnë seriozitet dhe fitojnë kredibilitet ndërkombëtar, thekson profesori Riza Smaka.

“Serbia nëse nuk do ta ratifikonte, ai do të ishte problem i saj. Motivet dihen çfarë janë. Mirëpo ajo do të dilte humbëse në këtë pikë, sepse do të dilte shtet jo serioz, që nuk i përfill rregullat dhe shtetet e tilla nuk e kanë autoritetin që do të duhej ta kishin, nuk e kanë seriozitetin dhe do të humbte kredibilitet te Bashkimi Evropian”, ka thënë Smaka.

Ndryshe, ratifikimi i marrëveshjes 15 pikëshe së arritur në dialogun midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton mund të pasojë takimin e radhës Thaçi – Daçiq, që pritet të mbahet ditët në vijim në Brukseli me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve në lidhje me planin e zbatimit.

Marrëveshjet ratifikohet në kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve.
XS
SM
MD
LG