Ndërlidhjet

Nga qershori, Kosova me kuotë individuale


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Muajin e ardhshëm edhe Kosova, sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të ketë kuotën individuale për eksport në Bashkimin Evropian, kanë bërë të ditur zyrtarë të Qeverisë.

Bashkimi Evropian u alokon kuota individuale shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila garanton eksportin e një sasie të caktuar të verës në BE, pa taksë doganore. Kosova është shteti i parë së cilës do t'i alokohet kuota individuale para përfundimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Përfaqësues të Shoqatës së Verërave të Kosovës, e mirëpresin një vendim të tillë, pasi, sipas tyre, aplikimi i kuotës individuale, do të mundësojë  rritjen e eksportit të verërave kosovare në vendet e Bashkimit Evropian.

Nevzat Haxhijaha, kryetar i kësaj shoqate, thotë Kosova posedon kuotën globale, kuotë kjo që ka vështirësuar në një mënyrë që Kosova të jetë konkurrente me vendet e rajonit, sa i përket verërave.

“Mungesa e kësaj kuote ka shkaktuar probleme shumë të mëdha, ngase ne, si kompani të verërave, kemi pasur mundësi të eksportojmë, por është dashur t’i nënshtrohemi një takse të veçantë. Kur i nënshtrohemi një takse të veçantë, atëherë blerësi ynë nuk ka pasur llogari të blejë verë nga ne, por është orientuar në tregun tjetër. Faktikisht, i kemi pasur dyert e mbyllura”, thotë Haxhijaha.
 
Shteti i Kosovës identifikohet me industrinë e verës, por që konsumohet shuma pak nga qytetarët, thotë Shani Mullabazi, njohës i kësaj fushe. Për këtë arsye, orientimi i prodhuesve kosovarë është kryesisht tregu evropian dhe në këtë treg, ata mund të jenë konkurrues me kuotën individuale dhe eksport pa ngarkesa doganore.

“Do të jetë bindshëm më stabil se deri më tani, sepse në muajin maj të vitit të kaluar, kuota është amortizuar dhe eksporti në Evropë ka qenë i vështirësuar, sepse për çdo eksport, pas muajit maj, për çdo litër është paguar 10 centë”, tregon Mullabazi.

Shtetet në të cilat më së shumti eksportojnë prodhuesit e verërave kosovare, janë Gjermania, Zvicra dhe Kroacia.

Nevzat Haxhijaha është edhe pronar i kompanisë së verërave "Bodrumi i Vjetër”. Ai thotë se Kosova ka verë të mjaftueshme për eksport për vendet e rajonit dhe Evropës.

“Kosova ka mjaft verë për të eksportuar. Kjo barrierë ka qenë vetëm për BE-në , për shtetet e Lindjes, siç janë Azia, Kina, po shtetet tjera nuk kanë qenë pengesë, pasi këta e kanë vendosur kuotën për gjithë prodhuesit e rrushit, nuk ka vlejtur vetëm për ne".

"Edhe Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, të gjithë e kanë kuotën, mirëpo ata e kanë pasur kuotën individuale, kurse ne, globale. Kuota globale shumë shpejt harxhohet, ne mbesnim pa kuotë dhe nuk mund të depërtonim atje”,
shpjegon Haxhijaha.

Sidoqoftë, në Kosovë aplikohen edhe preferencat tregtare me vendet e Bashkimit Evropian, por megjithatë vendi vazhdon të jetë i varur nga importi.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG