Ndërlidhjet

Dallime mes palëve, takimi vazhdon të mërkurën


BE
BE
Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë nuk kanë arritur të martë të afrojnë qëndrimet rreth një plani të marrëveshjes të arritur kohë më parë dhe është thënë që takimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Duke folur pas këtij takimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka udhëhequr delegacionin kosovar në takim, ka thënë:

“Të dy palët i kemi shprehur qëndrimet tona dhe nesër mendoj se zoti Gentilini do të na e paraqes neve një projekt plan të ri sa i përket planit të zbatimit dhe shpresoj që do të diskutojmë për të”, ka thënë Kuçi.

Ai po ashtu ka thënë se pa një plan të zbatimit, marrëveshja është zero. Kuçi nuk ka dashur t’i komentojë akuzat që ka bërë pala serbe ndaj delegacionit të Kosovës për atë që Serbia e quan “mungesë të fleksibilitetit” nga ana e Prishtinës. I pyetur për këtë, Kuçi ka thënë:

“Nuk dua ta akuzoj askë, ne jemi këtu për të arritur planin e zbatimit dhe jo për negociata tjera, por për marrëveshjen që kemi arritur. Ata duan të arrijnë diçka përtej marrëveshjes apo ndoshta një marrëveshje tjetër”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës.

Përderisa nga ana e BE-së, nuk kanë dashur zyrtarisht të prononcohen lidhur me rrjedhën e takimit të së martës.

Pala serbe ka dhënë disa ide të reja, sipas të cilave duket qartë se palët nuk janë shumë afër pajtimit.

Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili udhëheq delegacionin serb në këtë takim, ka thënë se Serbia kërkon që të diskutohet në nivel të lartë politik edhe për disa çështje jetike, të cilat deri më tani nuk janë përfshirë në marrëveshje.

Ai, në këtë aspekt, ka përmendur pozicionin e Kishës Ortodokse serbe, çështjen e pasurisë, si dhe kushtet e integrimit të serbëve nëpër institucionet e Prishtinës.

Ai ka thënë se nëse arrihet marrëveshje apo jo, varet më së shumti nga fleksibiliteti i palës së Prishtinës, dhe ka thënë se pala evropiane, ka pasur mirëkuptim për kërkesat e Serbisë dhe në këto takime.

Të dyja palët kanë konfirmuar se takimi do të vazhdojë nesër.

Ndërkohë, diplomatët e shteteve anëtare të BE-së, kanë tërhequr vërejtjen se pa një plan të zbatimit të marrëveshjes dhe pa fillimin e zbatimit të saj, do të jetë shumë vështirë që shtetet anëtare të BE-së, në samitin e qershorit, të marrin një vendim pozitiv për t’i dhënë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin.

Por, burime të BE-së kanë thënë se zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë.

Pala kosovare, kohë më parë ka bërë të ditur se pret që të arrihet një pajtim për planin e zbatimit të marrëveshjes, dhe ai plan, së bashku me marrëveshjen do të duhej të nënshkruhej nga të dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, si dhe baronesha Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG