Ndërlidhjet

Pakistan: Sharif pretendon fitore


Nawaz Sharif
Nawaz Sharif
Ish-kryeministri Nawaz Sharif, duket se po lëviz kah formimi i qeverisë së re të Pakistanit, pas zgjedhjeve parlamentare të së shtunës, në të cilat u shënua pjesëmarrje e lartë e votuesve, me gjithë kërcënimet dhe dhunën e talibanëve.

Zyrtarë zgjedhorë thanë se dalja në votime ishte afro 60 për qind. Në Pakistan të drejtë vote kanë afro 86 milionë njerëz.

Raportohet se gjatë ditës së shtunë janë vrarë 20 vetë, nga disa sulme, por votimi është lavdëruar si kthesë e madhe, pasi për të parën herë në historinë e Pakistanit, një qeveri civile e ka përfunduar mandatin e saj të plotë dhe e kalon autoritetin te një administratë tjetër, nëpërmjet zgjedhjeve.

Ushtria e Pakistanit e ka pasur pushtetin për afro gjysmën e periudhës prej se ky vend e fitoi pavarësinë në vitin 1947, me ç’rast ishin bërë tri grusht-shtete. Megjithatë, pavarësisht periudhave të mëvonshme të qeverisjes civile, ushtria ende konsiderohet institucioni më i fuqishëm i Pakistanit.

Sharif, i cili më parë dy herë ka qenë kryeministër i Pakistanit, shpalli fitore për partinë e tij opozitare, Lidhja Myslimane, dhe bëri thirrje për bashkëpunim nga të gjitha forcat politike.

“Për të mirën e kombit, për të mirën tuaj, për të mirën e 180 milionë njerëzve në Pakistan, dhe me qëllim që ta ndalim këtë kurs të ndërprerjeve të rrymës, inflacionit dhe papunësisë, unë do t'i lus rivalët tanë që të vijnë dhe të ulen me ne”, tha Nawaz Sharif, në fjalimin e tij në Lahore.

Rezultatet jozyrtare sugjerojnë se ish-legjenda e sportit të kriketit në Pakistan, Imrah Khan, nga lëvizja Tahreek-e Insaf (PTI), po ashtu mori mbështetje të fuqishme, duke paralajmëruar ardhjen e një grupi të ri të fuqishëm.

Partia Popullore e Pakistanit dhe Partia Kombëtare Awami, që deri tash ishin në qeverinë e koalicionit në Pakistan, duket se do të pësojnë humbje të mëdha, për shkak të pakënaqësisë së votuesve lidhur me atë se si e kanë udhëhequr ata vendin gjatë pesë vjetëve të kaluar.

Votimet janë mbajtur në periudhën e pakënaqësisë së gjerë në mesin e pakistanezëve për vite të tëra lidhur me qeverisjen joefikase, korrupsionin, mungesën kronike të rrymës elektrike dhe rënien ekonomike, në këtë vend me armatim atomik.

Pakistani, po ashtu, ballafaqohet me sulmet e shpeshta nga ana e talibanëve, të cilët synojnë përmbysjen e qeverisë dhe me kundërshtimet e lëvizjeve sektare dhe separatiste.

Islamabadi, gjithashtu është nën presion të Shteteve të Bashkuara për goditjen kundër militantëve.

Shenjat e para sugjerojnë se partia e Sharifit nuk do të ketë mundësi që vetë ta ketë shumicën në Asamblenë Kombëtare, por do të jetë e detyruar ta formojë një koalicion.

Nawaz Sharif, 63 vjeçar, është biznesmen i pasur nga provinca Punxhab. Ai ishte politikan udhëheqës për vite të tëra në Pakistan, së bashku me Partinë Popullore të Pakistanit, që kryesohet nga presidenti aktual, Asif Ali Zardari, dhe ish-kryeministrja e vrarë, Benazir Bhutto.

Zoti Sharif ishte në pushtet kur Pakistani e testoi armatimin e parë atomik, në vitin 1998. Ai ishte përmbysur nga ushtria, e udhëhequr nga komandanti i saj, Pervez Musharraf, në vitin 1999. Prej këtij '99-s, ai i kishte kaluar disa vite në ekzil në Arabinë Saudite, ndërsa në Pakistan është kthyer në vitin 2007.

Talibanët i kanë dënuar zgjedhjet duke i cilësuar si joislamike.

Nga dhuna gjatë fushatës zgjedhore janë vrarë afro 130 njerëz.(f.bujupi)
XS
SM
MD
LG