Ndërlidhjet

Westerwelle: Zbatimi i marrëveshjes, pastaj integrimet


Guido Westerwelle - foto nga arkivi
Guido Westerwelle - foto nga arkivi
Pas marrëveshjes së 19 prillit, Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë në fazën e zbatimit të saj, ka deklaruar tw hënën në Prishtinë, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Këto komente, diplomati gjerman i ka bërë pas një takimi të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Westerwelle kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi maturi dhe mençuri politike në mënyrë që të kuptojnë rëndësinë e miratimit të planit të zbatimit gjatë takimit të nesër midis kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq në Bruksel.

“Kjo nënkupton fleksibilitet dhe maturi politike në mënyrë që pas marrëveshjes së arritur palët të kalojnë në zbatimin e saj”, ka deklaruar Westerwelle.

Ai i rikujtoi palët se Bashkimi Evropian mund të marrw vendime të rëndësishme për proceset integruese të Serbisë dhe Kosovës, andaj u bëri thirrje që ta kuptojnë rëndësinë e marrjes së vendimeve të duhura.

Arritja e dakordimit për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, nënkupton edhe shenjat e para të zbatimit të saj, ka thënë Westerwelle.

Ai ka veçuar dy çështje kyçe që do të dëshmonin se palët po e zbatojnë marrëveshjen e arritur.

“Kjo do të thotë që strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës do të largohen, që përbën kriterin kyç të marrëveshjes, kurse Kosova duhet të krijojw lehtësira për integrimin e serbëve në institucione”, ka thënë Westerwelle.

Varësisht përparimeve në dialogun midis kryeministrave Thaçi e Daçiq rreth planit të zbatimit, ministri i Jashtëm gjerman tha se më pas Bundestagu, gjatë qershorit, do të vendos nëse do të mbështesw aspiratat e palëve për procesin e integrimit në BE.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi është shprehur optimist se në takimin e tij me kryeministrin serb Daçiq dhe me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, do të arrihet marrëveshja për planin e zbatimit qysh në takimin e 21 majit.

Pas marrëveshjes së 19 prillit, Thaçi tha se puna kryesore ka përfunduar dhe se tani as Prishtina dhe as Beogradi nuk mund të kthejnë më procesin prapa.

Ajo që ka qenë më e vështira është arritur, pra marrëveshja politike. Tash kemi të bëjmë me zbatimin të cilit nuk do të mund t’i largohet as Kosova e as Serbia. Natyrisht që nuk do të ketë ridiskutim të marrëveshjes politike, por opinione se si do të implementohet duhet të respektohen. Unë duhet të potencoj se Kosova ka pranuar propozimet e baroneshës Ashton për procesin e implementimit dhe tani mbetet që edhe Beogradi të pajtohet nesër në Bruksel”, është shprehur Thaçi.

Ministri gjerman ka takuar edhe me shefin e diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj.

Paraprakisht, ai ka qëndruar edhe në Beograd ku është takuar me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq dhe përfaqësues tjerë të shtetit serb.

Me këtë rast, Westerwelle ka thënë se pret që Serbia, së shpejti, të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ka rikujtuar Beogradin për rëndësinë që ka zbatimi i marrëveshjes me Kosovën.

“Dakordimi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit është kushti kryesor për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, ka porositur Westerwelle.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG