Ndërlidhjet

Shqipëria synon privatizimin e shërbimeve në burgje


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Shqipërisë synon që deri në fund të vitit 2013, fillimi 2014, të privatizojë disa prej shërbimeve në sistemin e burgjeve.

Në fund të vitit 2014 pritet të ngrejë ndërtesën e parë të një burgu privat me kapacitet të vogël dhe me të dënuar nga 1 deri në 5 vjet.

Me këtë reformë, një kopje e modelit anglez, qeveria synon kryesisht të ulë koston e këtij shërbimi në buxhetin e shtetit, siç thotë Arben Braçe, shef i Kabinetit të ministrit të Drejtësisë.

"Shteti shqiptar shpenzon rreth 30 milionë euro për mbajtjen e sistemit penitenciar (burgjeve). Filozofia jonë do të jetë ulja e kostos së sistemit pernitenciar, rritja e sigurisë, rritja e cilësisë së shërbimeve, rritja e aksesit për dënimet alternative, që edhe kjo çon në uljen e kostos, dhe një rehabilitim dhe integrim sa më i mirë, konform standardeve të komunitetit evropian", thotë Braçe.

Ai liston disa prej shërbimeve, të cilat do të preken nga privatizimi:

"Ato shërbime, të cilat kanë kosto, si shërbimi ushqimor, shërbimi shëndetësor, shërbimi i transportit, e më pas do të kalojmë në një burg privat prej rreth 300 vendesh, me një kapacitet të vogël kryesisht".

Qeveria është e bindur në suksesin e kësaj reforme, për të cilën, siç thotë shefi i Kabinetit të ministrit të Drejtësisë, është zhvilluar një proces i gjerë konsultimi.

"Na rezulton që kjo reformë ka efikasitet. Një efikasitet që është provuar prej më shumë se dy dekadash nga Britania e Madhe. Nuk është se shkëputet shteti për asnjë çast, por shteti vendos kushtet dhe rregullat mbi monitorimin e këtij sistemi penitenciar privat", shton Braçe.

Por Engjëll Hysi, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve, thotë se reforma e Qeverisë shqiptare nuk i zgjidh problematikat, me të cilat përballet sot sistemi. Madje, sipas tij, rrit dhe nuk e ul koston e një të burgosuri.

"Shteti më mirë të investojë dhe të përmirësojë shërbimet e tij sesa këtë shërbim t'ia japë një strukture private. Përveç kostos që do të mbajnë të burgosurin, ne do të japim edhe pjesën e fitimit, sepse ky është biznes privat dhe po u fut privati, nuk futet për humanizëm. Pra, kostoja nuk ulet", vlerëson Hysi.

Sipas Hysit, ky nuk është problemi i vetëm që do të sjellë potencialisht privatizimi i pjesshëm i burgjeve:

"Rezerva më e madhe që kanë shumë specialistë, është në ç'raport do të jetë biznesi privat, që është një burg privat, me garantimin e lirive dhe të drejtave të të dënuarit".

Hysi propozon investimin brenda sistemit, duke ruajtur profilin publik të tij.

"Për mua do të ishte më mirë të ishte investuar brenda sistemit, në pikëpamjen e përmirësimit të infrastrukturës, në përmirësimin e administratës, në hapjen e institucioneve, siç u hap burgu për të miturit. Ne s’kemi sot një burg grash ku të vuajnë dënimin dhe s’kemi një burg të specializuar për të sëmurët me sëmundje të veçanta", thekson Hysi.

Megjithatë, Qeveria e Shqipërisë duket e vendosur për zbatimin e një reforme të tillë në më pak se një vit, bindje që forcohet nga suksesi i provuar në vendet ku ky model është aplikuar.

Por, fati i kësaj reforme dukshëm është i lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, nëse mazhoranca aktuale që e propozon, do të mund të fitojë një mandat të ri qeverisës.
XS
SM
MD
LG