Ndërlidhjet

Miratohet Rezoluta për Luginën e Preshevës


Pamje nga Kuvendi - foto nga arkivi
Pamje nga Kuvendi - foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten Rezolutën lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rezoluta, është hedhur në votim pasi që javën e kaluar nuk kishte dakordim mes grupeve parlamentare rreth përmbajtjes së saj.

Pas harmonizimit të tekstit nga grupet parlamentare, përmbajtja e Rezolutës është lexuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, si iniciues i saj.

Fillimisht, Rezoluta kërkon kushtëzimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë me shkallën e respektimit të drejtave të shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kurse nga Qeveria e Kosovës kërkohet shtimi i kujdesit shtetëror për shqiptarët e këtyre tri komunave në jug të Serbisë, të njohura me termin Lugina e Preshevës.

“Qeveria e Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të lirohen të burgosurit politik, duke e përfshi edhe të ashtuquajturin 'grupin e Gjilanit' që është viktimë e një procesi të montuar politik. Qeveria e Kosovës të kërkojë reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës. Kuvendi mbështet formimin e një fondi zhvillimor për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, me iniciativë të qeverisë”, ka lexuar disa nga pikat e kësaj rezolute, deputeti Lutfi Haziri.

Rezoluta ka marrë 74 vota për dhe 4 kundër. Për dallim nga seanca e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi, kësaj radhe kishin hequr dorë nga një nen i propozuar i cili kërkonte që me Rezolutë të kërkohej amandamentimi i Kushtetutës me të cilin Kosova do të obligohej të interesohej dhe kujdesej për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

Sejdullah Kadriu, kryetar i shoqatës Vatra që mbledh në vete qytetarë të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e vlerëson pozitivisht rezolutën e miratuar nga Kuvendi.

Ai thotë se kërkesa e shqiptarëve të këtyre komunave, tani për tani është vendosja e reciprocitetit mes të drejtave të serbëve në veri të Kosovës me shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Ndonëse, zgjidhja më e drejtë, sipas tij, do të jetë ndarja e këtyre komunave nga Serbia dhe bashkimi i tyre me Kosovën.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që ajo pjesë t’i bashkëngjitet Kosovës, sepse realisht edhe ashtu ka qenë më herët. E gjithë puna, sakrifica që është bërë në ato pjesë, është për t’iu bashkuar Kosovës. Ne nuk e kemi ndër mend të ndalemi nga kërkesat maksimaliste, por për momentin derisa të arrihet ky qëllim, ndoshta kishte me qenë reale që të kërkohet reciprocitet”, ka thënë Kadriu.

Rreth efekteve politike të kësaj rezolute, për Radion Evropa e Lirë ka folur edhe Dushan Janjiq nga Forumi për raporte etnike në Beograd.

Sipas tij, vështruar nga legjislacioni në Kosovë dhe ai në Serbi, shqiptarët në jug të Serbisë kanë më tepër të drejta. Por, problemi, sipas tij, qëndron te mos shfrytëzimi i këtyre të drejtave nga ana e shqiptarëve.

Ata i shfrytëzojnë pjesërisht. Ata bojkotojnë pushtetin republikan ngase lidershipi i tyre si duket është përcaktuar për bashkim me Kosovën. Kjo gjendje po zgjat për 20 vjet dhe se ata mekanizmat që i kanë i shfrytëzojnë pjesërisht vetëm në nivelin lokal”, thotë Janjiq.

Në anën tjetër, Sejdullah Kadriu nga shoqata Vatra vlerëson se Serbia është ajo që i ka lënë komunat jugore me shumicë shqiptare si viset më të pa zhvilluara dhe me një gjendje të mjerueshme ekonomike.

“Në Kosovën lindore, gjegjësisht Luginë të Preshevës, shkelen të drejtat e shqiptarëve çdo ditë dhe në çdo pikëpamje, si në shkollim, kulturë, sport, çështje administrative, politike, punësim e të gjitha. Këto tri komuna mesatarja e të ardhurave është shtatë herë më e vogël krahasuar me komunat tjera në Serbi. Prandaj, llogaritet si rajoni më i pazhvilluar në Evropë e ndoshta edhe më larg”, ka thënë Kadriu.

Rezoluta e Kuvendit ishte një nga vendimet e vetme që Kosova ka marrë në raport me Luginën e Preshevës. Ndër të tjera, Rezoluta fton edhe Këshillin e Evropës të hetojë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Po ashtu, Rezoluta kërkon që Qeveria e Kosovës të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan që do të punon për këtë qëllim.

Njëherësh, është kërkuar që Qeveria të heq taksën e pagesës për qytetarët nga Lugina të cilët duhet të paguajnë nga 20 euro në javë për kalimin e kufirit nga Serbia për në Kosovë.
XS
SM
MD
LG