Ndërlidhjet

Ratifikimi i marrëveshjes - me apo pa planin e zbatimit


Pamje nga veriu...
Pamje nga veriu...
Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës nuk ka arritur të harmonizojë qëndrimet për t’i nisur procedurat e nevojshme në lidhje me Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

As prania e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në mbledhjen e këtij Komisioni nuk i ka hequr disa dilema të deputetëve, andaj në fund është vendosur që të martën të hedhet në votim dërgimi i këtij Projektligji për në Kryesinë e Kuvendit.

Gjatë paraqitjes së një informacioni në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin që ka të bëjë me planin e zbatimit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se parashihen katër veprime dhe fusha konkrete.

E para, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, e dyta çështja e mbylljes dhe integrimit të strukturave paralele të drejtësisë, pastaj ajo e strukturave të sigurisë si dhe e katërta organizimi i zgjedhjeve të lira, përfshi edhe komunat veriore.

Për këtë qëllim Kuçi ka thënë se do të punojnë katër grupe të përbashkëta të Kosovës dhe Serbisë, kurse koordinimin e tyre, për palën kosovare, do ta bëjë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave, ne jemi pajtuar që ky Asociacion të themelohet pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Për këtë Asociacion jemi pajtuar që të kemi një grup përgatitor i cili do të miratohet nga Qeveria me detyra të përcaktuara i cili nuk e ka rolin e Asociacionit, por një rol përgatitur deri në mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Kuçi.

Duke iu përgjigjur disa shqetësimeve të deputetëve në lidhje me numrin e ligjeve që do të detyrohet t’i ndryshojë apo plotësojë Kosova për zbatimin e marrëveshjes, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se nuk bëhet fjalë për 12 apo 30 ligje, por për një numër, sipas tij, fare të vogël ligjesh që do të ndryshohen.

“Nuk mund ta them sot saktësisht se cilat ligje, por ajo që mund ta them saktësisht, nuk është as numri 30 as 18 e as 12. Është shumë më pak. Nëse merret ligji për amnisti, unë po them që në raport me gjykata nuk ka nevojë të ndryshohet asnjë nen. Në raport me policinë po ashtu nuk ka nevojë".

"E vetmja gjë që mund të jetë është aty ku parashihen kompetencat për propozimin për komandantin rajonal – Ligji për Vetëqeverisjen Lokale apo ku parashihet fondi për veriun, të parashihet një amandamentim i Ligjit për Buxhet, por Ligji për Gjykata ne kemi qenë fleksibil edhe më herët”, ka thënë Kuçi.

Duke iu referuar afateve të planit të zbatimit, Kuçi ka thënë po ashtu se shuarja e strukturave paralele të drejtësisë do të duhej të ndodhë deri më 15 qershor, kurse atyre të sigurisë deri më 15 korrik.

Sipas tij, Kosova nuk do të ketë nevojë për 800 pjesëtarë serbë të policisë në veri, por do të rekrutohen nga 100 deri në 150 prej tyre.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkoi që Komisioni t’i rekomandojë Kuvendit ratifikimin e Marrëveshjes, por jo edhe planit të zbatimit.

Sipas tij, ky plan paraqet vetëm veprimet e qeverisë për implementimin e marrëveshjes, kështu që është i panevojshëm të ratifikohet.

“Ne si kuvend duhet t’i kemi parasysh këto elemente dhe plotë tjera të cilat plani i zbatimit i parasheh si ngjarje të mundshme apo të planifikueshme në të ardhmen dhe nuk mund të jenë objekt i ratifikimit në Kuvend”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se në rast të ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë në Kuvend, ky subjekt politik do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ngase këtë marrëveshje e vlerëson të dëmshme dhe anti- kushtetuese.

“Kjo marrëveshje si e tillë e bën shtetin tonë jo funksional. Në qoftë se ratifikohet kjo marrëveshje atëherë do të hidhen themelet e autonomisë territoriale- etnike serbe brenda Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Sidoqoftë, dilemat rreth asaj se a duhet të ratifikohet marrëveshja dhe plani i zbatimit si edhe disa gabime në përshtatjen e gjuhëve në Projektligj, kanë ndikuar që Komisioni të shtyjë marrjen e vendimit për të martën.

Në rast se Komisioni i jep dritën jeshile këtij Projektligji, Kryesia e Kuvendit më pas nis edhe procedurën e shqyrtimit të tij në seancën plenare në leximin e parë dhe të dytë.

Për ratifikimin e këtij Projektligji do të nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, andaj zëvendëskryeministri Kuçi në disa raste u ka bërë thirrje subjekteve opozitare që ta mbështesin atë.
XS
SM
MD
LG