Ndërlidhjet

Punësimi, sfidë për të verbrit


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me të parë të dobësuar.

Këta persona ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga moszbatimi i ligjit për personat e verbër, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit të kaluar, e deri te punësimi.

Daut Ishuki, nënkryetar i Shoqatës së të verbërve dhe me të parë të dobësuar, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm 2 për qind e të verbërve në Kosovë llogaritet të jenë të punësuar, qoftë në institucione publike apo private.

“Gjendja e të verbërve është mjaft e vështirë. Situata dhe pozita e tyre mbetet e pandryshueshme pasi që ligji, edhe pse është miratuar, nuk po zbatohet në tërësi. Punësimi mbetet sfida më e madhe, derisa mund të them se është bërë për arsimimin pak më shumë për këtë kategori të shoqërisë. Vetëm dy për qind e të verbërve në Kosovë kanë arritur të punësohen”, thotë Ishuki.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se është punuar shumë në aftësim profesional të personave të verbër dhe atyre me të parë të dobësuar. Liridona Ajeti, zyrtare në këtë ministri, shpjegon:

“Ne, si ministri, po marrin iniciativë që të verbrit të përfitojnë prej projekteve tona për aftësim profesional dhe punësim. Ne, vazhdimisht, si ministri kemi marrë hapa dhe kemi komunikuar me Shoqatën e të verbërve në këtë rast dhe i shohim nevojat e tyre, dhe ato fusha ku synohet të përmirësohet, ne kemi bashkëpunuar. Kryesisht, është punuar në aftësim profesional, por nuk e kemi lënë anash punësimin në fusha ku ne kemi mundur të reagojmë”.

Derisa Vedat Behrami, zyrtar në Ministrinë e Arsimit në Arsimin special, bën të ditur se komuniteti i të verbërve në Kosovë janë më të integruarit në shoqëri, sa i përket kategorive me nevoja të veçanta në përgjithësi.

“Mund të them se është njëra nga kategoritë me aftësi të kufizuara, që më së shumti janë integruar në aspektin e arsimimit. Çështje, e cila mund të jetë model, se si janë të organizuar mirë brenda një sistemi arsimor”, thekson Behrami.

Ejup Rashica, është i punësuar. Ai nuk e ka fatin e shumë të verbërve në Kosovë, të cilët janë të varur financiarisht, qoftë nga familjarët apo detyrimisht i bën të verbrit t’iu nënshtrohen skemave sociale.

Ai punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, derisa shton se qasja në punësim për të verbrit, në përgjithësi, është shumë e vështirë.

“Unë punoj në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Këto janë raste të rralla që të verbrit gjejnë punë. Por, shpresoj se me implementimin e Ligjit edhe të verbrit do të gjejnë veten dhe do të integrohen në shoqëri”.

“Qasja në punësim është shumë problematike, sidomos duke e pasur parasysh që kryeqyteti nuk e ka të zgjedhur infrastrukturën për të verbrit”,
tregon Rashica.
XS
SM
MD
LG