Ndërlidhjet

Bildt beson në përkushtimin e Prishtinës dhe Beogradit


Carl Bildt
Carl Bildt
Kosova dhe Serbia po tregohen të vendosura në zbatimin e marrëveshjes së arritur për normalizimin e marrëdhënieve reciproke, ka deklaruar të martën në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt.

Këto komente, Bildt i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai është shprehur optimist se Kosova dhe Serbia kanë nisur rrugën e tyre evropiane.

“Kam besim të plotë në përkushtimin tuaj që të ndërmerrni hapat për zbatim dhe jam shumë i inkurajuar me bisedat e zhvilluara në Beograd”, është shprehur Bildt, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Thaçi.

Si rezultat i konstruktivitetit të treguar në dialog, Serbia ka marrë tashmë një afat kohor për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Kosova miratimin për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për çka Bildt i ka përgëzuar të dyja palët.

“Kjo është e rëndësishme për Kosovën, për Serbinë, por kjo dërgon një sinjal pozitiv edhe për gjithë rajonin se nëse jeni të gatshëm të bisedoni dhe t’i tejkaloni problemet nga e kaluara atëherë mund të lëvizni përpara. Kjo ofron mundësi të mira për zhvillim ekonomik e shoqëror për të ardhmen”, është shprehur Bildt

Ndërkohë, kryeminikstri Hashim Thaçi ka thënë se Ballkani po pëson ndryshime të mëdha. Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe organizimi i zgjedhjeve të lira në harmoni me standardeve evropiane në Shqipëri, sipas Thaçit, janë mesazh i mirë për evropianizimin e Ballkanit.

Edhe këtë herë, Thaçi është zotuar se pala kosovare do të zbatojë marrëveshjen e arritur me Serbinë dhe do të tregohet e gatshme për të vazhduar dialogun.

“Ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona që dalin në këtë proces implementues. Takimi tjetër mes dy kruyeministrave nën udhëheqjen e baroneshës Ashton më 8 korrik në Bruksel, ku do të diskutohen çështjet e telekomit dhe energjisë. Të njëjtën kohë do të vazhdojmë me agjendën tonë implementuese”, ka thënë Thaçi.

Një nga sfidat më të mëdha të zbatimit të marrëveshjes të cilën kryeministri Thaçi e ka përmendur, ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve lokale edhe në komunat veriore.

Ne po përgatitemi që gjatë kësaj vjeshte të organizojmë zgjedhjet lokale, në një ditë, për herë të parë me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve duke përfshi edhe serbët nga veriu, që pastaj të kemi lidershipin e atjeshëm legjitim”, ka thënë Thaçi.

Para Prishtinës, Bildt ka vizituar edhe Beogradin. Atje ai ka përgëzuar Serbinë për faktin që Këshilli Evropian ka miratuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me çka i hapet rruga këtioj vendi për fazën finale të reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG