Ndërlidhjet

NATO e gatshme të mbrojë përparimet në dialogun Prishtinë – Beograd


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka rikonfirmuar mbështetjen e Aleancës Veriatlantike për Marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Komentet dhe qëndrimet e tij, Rasmussen i shpalosi pas një vizite që i bëri Komandës së KFOR-it në Prishtinë dhe takimeve që realizoi me përfaqësues ndërkombëtar dhe vendas.

Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Hashim Thaçi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se marrëveshja me Beogradin paraqet një hap të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe gjithë rajonin.

“Kjo marrëveshje paraqet një shpresë për një jetë dhe të ardhme me të mirë për njerëzit e gjithë rajonit”, ka thënë Rasmussen duke inkurajuar palët që t’i vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e saj.

Në këtë drejtim, ai ka ofruar edhe mbështetjen e NATO-s, përkatësisht trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

“Ne do të jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të gjitha përpjekjet për rrënimin përparimit të arritur”, ka thënë Rasmussen.

Mbrojtja e rezultateve të dialogut, sipas tij, është e rëndësishme sepse vetëm në atë mënyrë garantohet paqja dhe stabiliteti në rajon me synimet që më pas të ecet drejt integrimeve evropiane.

Po në funksion të zbatimit të marrëveshjes, Rasmussen ka thënë po ashtu se KFOR-i është i gatshëm të garantoj lirinë e plotë të lëvizjes në veri të Kosovës.

Sa i përket vendosjes së trupave në veri, do të merren të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes politike të arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Rasmussen.

Një hap i tillë, sipas tij, është i nevojshëm edhe për të dyja palët në mënyrë që ato të mund t’i ndërmarrin veprimet tjera sipas marrëveshjes.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar edhe para Sekretarit të Përgjithshëm të NATo-s së Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Me marrëveshjen e arritur, sipas tij, të dyja vendet e kanë përmbyllur një shekull të konfliktit, luftës dhe dhunës dhe tani kanë hapur kapitullin e ri të paqes e integrimit.

Suksesi i arritur në dialog dhe miratimi i planit të implementimit duhet të jetë i qëndrueshëm dhe si në Kosovë, ku jemi të përkushtuar ta zbatojmë atë, edhe Serbia duhet të vazhdojë ta implementojë marrëveshjen. Ne e vlerësojmë shumë vendimin e fundit në Bruksel ku Kosovës iu dha në mënyrë meritore drita e gjelbër për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit’, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka falënderuar NATO-n edhe për rolin që po luan në ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila sipas pretendimeve të Prishtinës zyrtare në të ardhmen do të duhej të shndërrohej në ushtrinë e Kosovës.

Lidhur me këtë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka thënë se me përfaqësuesit e qeverisë është diskutuar edhe çështja e FSK-së dhe është konstatuar se ka përparime. Por, ai ka preferuar që kjo forcë aktualisht të vazhdoj me mandatin që ka.

Pritjet e mia janë që Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdoj me ekzekutimin e mandatit aktual për mbrojtjen e popullatës civile duke marrë pjesë në ndihmat rreth katastrofave humanitare dhe aktivitete të ngjashme”, ka thënë Rasmussen.

Gjatë kësaj vizite, Rasmussen, është shoqëruar nga përfaqësues të Këshillit Veri-Atlantik, që është organi më i lartë qeverisës politik i NATO-s.
XS
SM
MD
LG