Ndërlidhjet

"Universitetet" private mbeten kolegje


Edhe këtë vit asnjë nga Bartësit Privat të Arsimit të Lartë, nuk i kanë plotësuar kushtet të akreditohen si universitete, madje janë shumë larg këtij epiteti.

Pas publikimit të rezultateve të procesit të akreditimit nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës, që kanë përfshirë 26 institucione private dhe publike, vendim pozitiv për zgjatjen e akreditimit, madje edhe për disa programe ka marrë vetëm Universiteti Publik “Hasan Prishtina", Universiteti Publik i Pejës dhe ai i Prizrenit, për një periudhë tre vjeçare, ndërsa institucionet private të arsimit të lartë vazhdojnë të mbesin, siç edhe kanë qenë, kolegje.

Ferdije Zhushi-Etemi, drejtoreshë e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, ka thënë se asnjë nga kolegjet private që veprojnë në Kosovë nuk i kanë arritur kriteret e parapara me Ligjin për Arsimin e Lartë që të akreditohen universitete.

Për momentin asnjëri prej tyre, nuk ofron tri ciklet, që është kusht për të qenë universitet. Dhe sipas ligjit parashihet që institucionet të kenë të akredituara doktorata se paku në tri fusha, për të mbërritur nivelin e kolegjit universitar, ndërsa më tutje duhet t'i akreditojnë pesë fushë të doktoratës për të qenë universitet. Edhe këtu për momentin janë shumë larg”, shprehet Zhushi.

Ri-akreditimi i institucioneve private si kolegje, tregon se më se miri, cilësinë e ulët të arsimit në këto institucione, thonë ekspertë të kësaj fushe.

Eksperti Jonuz Salihu, konsideron se këto institucione si qëllim kanë përfitimet materiale dhe jo ngritjen e cilësisë se arsimit.

Ne kemi probleme serioze me cilësi edhe në universitetet publike, por kemi probleme më serioze në institucionet private. Janë menduar si alternative për cilësi, por për fat të keq kjo ka dështuar".

"Dhe duhet punë madhe shumë që të kemi kolegje që plotësojnë të gjitha kriteret e cilësisë. Deri më tani për fat të keq nuk ka ndodh kjo, më shumë janë institucione të profitit se sa institucione të cilësisë”, thekson Salihu.

Ndërkaq, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se më nivelin aktual të cilësisë, kolegjet vështirë se do mund të avancohen në universitete.

“Cilësia është e ulët e arsimit, standardet që garantojnë cilësi nuk janë përcaktuar, kështu që akreditimi bëhet jashtë standardeve. Edhe unë besoj se ky avancim i kolegjeve nuk ka mundur dhe nuk mund të bëhet pa përcaktimin e standardeve, sepse vetëm standardet mundet të përcaktojnë cilësi”, konsideron Hyseni.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve që kanë monitoruar institucionet private, Ferdije Zhushi- Etemi, thekson së në disa institucione ka përmirësime të cilësisë, por ka të atilla që nuk kanë arritur përmirësim në këtë fushë, dhe për këtë arsye janë akredituar për një periudhë më të shkurtër kohore.

Edhe në sektorin privat kemi marrë raporte shumë të mirë shume pozitive prej ekspertëve të cilët tregojnë se ka lëvizje, se institucionet e kanë kuptuar seriozisht procesin e akreditimit dhe bëjnë përpjekje për ngritje të vazhdueshme të cilësisë. Por jo të gjitha në privat tregojnë një ngritje të cilësisë".

"Ka raste kur ende kemi brengë për disa institucione dhe këto kanë marrë akreditim më të shkurtër në mënyrë që të shohim se çfarë po ndodh më to dhe si do të jetë progresi”, thekson Zhushi.

Shumica e kolegjeve janë akredituar për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa disa edhe për një periudhë 3 vjeçare, kurse institucioni privat “Unimedica” nuk ka arritur të akreditohet.

Pavarësisht, akreditimit të tyre si kolegje, në ueb faqet e tyre zyrtare, disa nga to emërohen më “universitet”.
XS
SM
MD
LG