Ndërlidhjet

Forma alternative të mbushjes së buxhetit


Mbledhja e rreth 70 për qind e të hyrave për arkën shtetërore nga Doganat e Kosovës e ka vendosur buxhetin e vendit në një situatë jo të favorshme, për faktin se kjo mënyrë është jo stabile për një shtet, e sidomos kur kihet parasysh rritja e nivelit të integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë.

Kështu vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë, ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sipas parashikimeve të ekzekutivit, për vitin 2013 Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 915 milionë euro.

Eksperti i çështjeve ekonomike nga Instituti “Riinvest”, Alban Hashani thotë se duhet të gjenden alternativa tjera për mbushjen e buxhetit të shtetit, pasi që me rritjen e nivelit të integrimeve, rëndësia e kufijve do të zvogëlohet dhe për pasojë e rrezikon burimin kryesorë të të hyrave, siç janë doganat.

“E para që duhet të bërë është minimizimi i ekonomisë joformale, që i ikin taksave dhe tjetra duhet të bazohet mbledhja e të hyrave brenda kufijve të Kosovës”, thekson Hashani.

Sipas disa hulumtimeve të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Kosova ka shkallën më të lartë të shmangies së tatimit në rajon.

Thuhet se kjo vjen si pasojë e inspektimit të pamjaftueshëm të ndërmarrjeve, politikave fiskale jo favorizuese dhe lidhjeve të ngushta në mes ndërmarrjeve dhe zyrtarëve, apo grupeve partiake.

Hashani sugjeron që Administratat Tatimore e Kosovës duhet të fuqizohet dhe të arrijë të sigurojë më shumë të hyra brenda territorit të Kosovës.

“ATK –ja duhet të jetë më e zonjë në vjeljen e taksave brenda kufijve të Kosovës, do të thotë të shtrihet mbledhja e taksave brenda Kosovës dhe të zbutet pesha që e bartin sot doganat. Përveç kësaj Kosova duhet që në mënyrë efikase të mbledh nga të hyrat që i merr nga eksplatimi i pasurive të saja natyrore”, thekson Hashani.

Administrata Tatimore e Kosovës për vitin 2013 duhet të mblidhe 301 milionë euro për buxheti e Kosovës.

Mënyra aktuale e mbledhjes së të hyrave për buxhetin e shtetit, thekson ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri paraqet jo qëndrueshmëri financiare dhe fiskale.

Marrëveshjet ndërkombëtare të arritur ndërmjet Kosovës dhe disa shteteve tjera, shton Shatri, në disa raste ngushtojnë kapacitetin e të hyrave buxhetore sepse ato largojnë nga obligimi për pagesë të doganës disa kategori të mallrave.

“Mundësi reale për të kompensuar këtë zbritje të të hyrave është vetëm me caktimin e akcizës si taksë e veçantë, pasi që akciza rrallë herë apo fare nuk përfshihet të ndonjë marrëveshje. Për disa kategori të mallrave mund të caktohen akciza dhe tarifa të ndryshe që e kompensojnë atë që humbet më marrëveshjet”, shton Shatri.

Buxheti i Kosovës për vitin 2013 është 1 miliard e 586 milionë euro.
XS
SM
MD
LG