Ndërlidhjet

Shpenzimet rrezikojnë buxhetin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qeveria e Kosovës për tre muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar mbi 37 milionë euro për mallra dhe shërbime. Krahasuar me të hyrat në buxhetin e Kosovës, janë afër 17 milionë euro më shumë shpenzime se sa që ka pasur të hyra.

Të gjitha këto shpenzime, të cilat nga njohës të çështjeve ekonomike quhen të pakontrolluara, ngrenë probleme të mëdha ekonomike.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i lartë i shpenzimeve krijon jostabilitet ekonomik.

“Vetëm për tre muaj ka më shumë shpenzime për afër 20 milionë euro se sa që kemi të hyra në buxhetin e shtetit dhe kjo po ndodh thuajse çdo vit. Ajo se si pastaj Qeveria arrin të mbajë stabilitetin financiar është duke i sakrifikuar një pjesë të investimeve kapitale dhe kjo po ndodh që buxheti, qoftë i këtij viti, apo atij të kaluar nuk është ai, i cili aprovohet në Kuvend”, thotë Demi.

Shumica e projekteve, të cilat janë në buxhet, thekson Demi, mbeten të parealizuara, pasi që Qeveria e Kosovës dhe agjencitë buxhetore nuk janë të gatshme të heqin dorë nga shpenzimet e luksit.

Demi thotë derisa shumë shteteve të rajonit dhe atyre evropiane, për shkak të krizës financiare viteve të fundit kanë reduktuar shpenzimet, në Kosovë ka ndodhur e kundërta.

Vitet e fundit, shton Demi, Qeveria e Kosovës, ka pasur ngritje enorme të shpenzimeve në mallra dhe shërbime, ku në këtë kategori kanë hyrë dreka zyrtare, blerje të veturave dhe udhëtime jashtë vendit.

Mosmenaxhimi i mirë i financave publike, thuhet se Kosovën mund ta fusë në borxh publik dhe ekziston rreziku që në rastet kur Qeveria nuk arrin t’i realizojë të hyrat, gjen forma shtesë të të hyrave, duke rritur kështu taksat në fusha të ndryshme.

“Në vitet e kaluara kur Qeveria e Kosovës ka parë që të hyrat nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë duke rënë apo nuk po realizohet plani, Qeveria ka gjetur mundësi të reja, si rritje të taksave, është rritur taksa apo tatimi në pronë, ka vendosur taksë në regjistrimin e automjeteve. Pastaj, ishte rritur jetëgjatësia e importimit të automjeteve prej 8 viteve në 13 vite, vetëm pse Qeverisë së Kosovës 2 vjet më parë i janë nevojitur 20 milionë euro në buxhet”, shpjegon Demi.

Mbi 37 milionë euro shpenzime për tre muajt e parë të këtij viti janë për 2 milionë euro më shumë, sesa harxhimet e tremujorit të parë të vitit të kaluar. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte shpenzuar 35, 698 050 euro.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, thotë se askush brenda institucioneve të Kosovës nuk ka të drejtë të shpenzojë më shumë se sa mundësitë që i lejon Ligji i buxhetit.

“E kam parë raportin për tremujorin. Janë vërejtur se ka shpenzime me një dinamikë më të madhe se sa e lejon dinamika periodike e shpenzimeve e parasë publike. Kjo është shqetësuese nëse kanë qenë më dinamike se sa që e lejon dinamika periodike”, thekson Shatri.

Që nga dorëheqja e ministrit të Financave, Bedri Hamza, në janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës nuk ka emëruar ende askënd në këtë pozitë. Sipas njohësve të ekonomisë, edhe kjo mund të ketë qenë një arsye, e cila ka ndikuar në shpenzim të buxhetit në mënyrë të pakontrolluar.

Ndryshe, buxheti i Kosovës për vitin 2013 është 1 miliard e 586 milionë euro.
XS
SM
MD
LG