Ndërlidhjet

Maqedoni: Kontestohet testimi nëpër shkollat e mesme


Forumi Rinor Arsimor i ka dorëzuar Ministrisë së Arsimit mbi 25 mijë dosje të mbledhura nga ankesat e prindërve lidhur me testimin ekstern, ngase siç janë shprehur drejtuesit e kësaj organizate, ai është ndjekur nga një varg parregullsish gjatë realizimit.

“Sot i kemi dërguar Ministrisë së Arsimit peticion me mbi 25 mijë nënshkrime nga prindërit, me ç'rast kërkojmë që testimi ekstern të shpallet si pilot projekt këtë vit, ndërkohë që Ministria e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve si dhe Byroja e Arsimit të analizojnë në përpikëri të gjitha defektet që e kanë përcjellë këtë proces".

"Njëkohësisht kërkojmë të organizohen debate publike rreth mënyrës së realizimit të testimit ekstern për vlerësimin e dijes së nxënësve. Më duhet të theksoj se nxënësit këtë vit kanë hasur në shumë vështirësi, siç janë pyetjet jashtë materialit mësimor, defekteve gjuhësore, si dhe problem me rrjetin e internetit, gjëra që ndikuar në rezultatin përfundimtar të testimit ekstern”, shprehet kryetarja e forumit rinor arsimor Dona Kosturanova.

E pyetur në është i vonuar ky reagim, ngase tanimë notat e testimit figurojnë edhe në dëftesa, Kosturanoova thotë:

"Jo, sepse ne reaguam edhe më parë dhe nëse merret vendimi nga ministria, ato nota mund të tërhiqen, ose të shkruhen dëftesa të reja ose të njëjtat mos merren si valide”.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit të Maqedonisë pas përfundimit të testimit ekstern është prononcuar se ky proces është realizuar me sukses, përpos disa probleme teknike që nuk ndikojnë në mbarëvajtjen e procedurës në përgjithësi.

Ndërkohë, sa i përket kërkesës për të shpallur testimin e sivjetmë si “pilot projekt”, kanë theksuar se do ta shqyrtojnë ditët në vijim dhe për të njëjtën do të prononcohen dhe zyrtarisht.

Dikasteri i arsimit ka bërë të ditur se nxënësit që nuk janë të kënaqur me rezultatet e testimit ekstern nga afati i qershorit, të njëjtit mund t`i nënshtrohen edhe në afatin e gushtit.

Gjersa zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri, thotë se përmes testimit eksern do të evitohen problemet të cilat një kohë të gjatë e ndjekin procesin arsimor.

Ai theks të veçantë vë në ngritjen e kualitetit të mësimdhënies dhe njëherësh, sipas tij, përfundimisht do të vihet një vijë e qartë mes arsimtarëve të cilët e kryejnë me zell punën dhe atyre të cilët nuk angazhohen mjaftueshëm sa i përket realizimit të orëve mësimore.

“Përmes këtij testimi synohet që një herë e përgjithmonë të dalim me një fotografi të pastër në drejtim të asaj se si funksionon sistemi arsimor në Republikën e Maqedonisë. Kuptohet çdo fillim është i rëndë, është e vërtetë, por ne jemi të detyruar ta bëjmë startin".

"Duhet ta bëjmë hapin e parë për ta parë se ku në fakt jemi ne si dikaster i arsimit, ku ngecin gjërat dhe ku ngecin gjërat sa i përket vet organizimit të shkollave, zgjedhjes së kuadrit dhe angazhimit të tyre në procesi arsimorë si në shkollat fillore ashtu dhe ato të mesme”, shprehet Neziri.

Por arsimtarët ashtu si edhe nxënësit kanë shprehur mosbesim se kjo formë e testimit do të kontribuojë në ngritjen e kualitetit të arsimit në vend.

Përkundrazi, siç kanë theksuar, rezultatet e testimit mund të përdoren si kërbaç në dorë të pushtetit për të dënuar një pjesë të mësimdhënësve.

Ndryshe testimit ekstern këtë vit për herë të parë i janë nënshtruar të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme në tërë Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG