Ndërlidhjet

Takimi në Bruksel: Thaçi optimist për marrëveshje për telekomin


Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq
Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, po mbajnë në Bruksel një raund të ri negociatash nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Para takimit me homologun e tij nga Serbia, kryeministri Thaçi ka shprehur optimizmin e tij se do të arrihet marrëveshje për çështjen e telekomit, si dhe ka paralajmëruar se do të qartësohet çështja e zgjedhjeve lokale dhe pjesëmarrja e serbëve në komunat veriore.

Madje, Thaçi ka shprehur besimin e tij se marrëveshje mund të arrihet edhe për çështjen e energjisë, edhe pse në këtë temë palët nuk kishin arritur përparime të mjaftueshme, siç ishte rasti me telekomin.

“Unë shpresoj që sot do të arrijmë marrëveshjen sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit. Kanë diskutuar ekipet teknike dhe profesionale, por sot besoj në nivel politik do të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm”.

“Është me rëndësi që zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit ka filluar së implementuari në shumë segmente, por natyrisht që duhet të bëjmë edhe më tepër. Ndërsa do të bisedojmë edhe për qartësimin e tërë procesit të zgjedhjeve të 3 nëntorit ku kam besim të plotë që edhe serbët e veriut do të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka përmendur disa nga hapat pozitiv, sipas tij që Serbia dhe Kosova po ndërmarrin për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Inkurajimi i serbëve në veri nga ana e Serbisë për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe Ligji për amnistinë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, janë veçuar nga Thaçi si dy zhvillime me rëndësi në drejtim të implementimit të marrëveshjes.

Është me rëndësi që edhe Serbia i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa Kosova do t’i kryejë të njëjtën kohë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Kosova ka përmbyllur procesin e Ligjit mbi Amnistinë në Parlament gjë që do t’u ndihmoj edhe serbëve që të jenë më të sigurt për t’u integruar në të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, edhe Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, pak para takimit Thaçi- Daçiq ka thënë se telekomi dhe energjia janë pika të diskutimit, por jo të vetmet.

Sot do të takohen edhe grupet punuese për telekom dhe energji. Unë pres që për këtë temë të flasin edhe zonja Ashton dhe të dy kryeministrat”, ka thënë Kocijançiq.
Sipas saj, takimi në nivel të kryeministrave ka si qëllim diskutimin rreth nivelit të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Sot në Bruksel ata do të bisedojnë rreth implementimit të marrëveshjes së prillit dhe për të parë se si të shkohet tutje. Ne kemi edhe planin e zbatimit dhe do të shohim se çfarë është arritur deri më tani dhe çfarë është e nevojshme të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm me qëllim që ai plan të zbatohet në tërësi”, ka deklaruar Kocijançiq.

Takimi i sotëm Thaçi - Daçiq me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton është i 14 me radhë.

Përveç çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira dhe pjesëmarrjen e serbëve nga veriu, palët mund të dakordohen më në fund në lidhje me marrëveshjen për telekomin.

Sipas asaj që deri më tani është paralajmëruar, një vend anëtar i Bashkimit Evropian nga vjeshta e këtij viti mund të aplikoj tek ITU-ja për kodin +383, të cilin më pas do t’ia falte Kosovës.

Por, çështje problematike deri vonë ishte kërkesa e Beogradit që Serbia të kishte një operator të saj brenda Kosovës, qoftë ai edhe virtual. Sidoqoftë, pritet të shihet se cila do të jetë zgjidhja që mund të prezantojnë dy kryeministrat në fund të takimit.
XS
SM
MD
LG