Ndërlidhjet

Luftimi i piraterisë mbron të drejtën autoriale


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Kosovës ka themeluar Task-forcën kundër piraterisë dhe falsifikimit. Kjo Task- forcë është themeluar më 15 qershor, dhe nga kjo datë, deri më 15 gusht, do të zgjasë fushata e vetëdijesimit dhe njoftimit kundër piraterisë dhe falsifikimit.

Sipas Ligjit për të drejtat e autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej 2.000 deri në 10.000 euro.

Ndërkaq, sipas Kodit Penal, kushdo që bën shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë apo edhe me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet.

Legjislacioni i kësaj fushe, parasheh që sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve që shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, do të konfiskohen.

Personave që janë të përfshirë në pirateri, iu është dhënë afati deri më15 gusht t'i tërheqin materialet pirate nga tregu, sepse nga data 16 gusht, Task-forca ka kompetencë të bëjë sekuestrimin e materialeve pirate të të gjitha formave.

Këto materiale, mund të jenë libra, CD-ja, DVD, e gjëra të ngjashme.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo fushatë dymuajshe ka filluar menjëherë të ketë sukses.

Sipas tij, vetë tregtarët dhe kompani të ndryshme, kanë filluar t'i tërheqin produktet pirate nga tregu.

"Një prej objektivave kryesore është heqja e produkteve pirate nga tregu. Ajo që është me rëndësi për ne është që për herë të parë ne kemi hapa konkret në drejtim të uljes së materialeve dhe produkteve pirate. Kjo është arritur përmes këtyre hapave vetëdijesues, sepse kemi pasur raste të mirëseardhura ku edhe vetë tregtarë të ndryshëm dhe kompani goxha me renome dhe të mëdha, kanë filluar t'i tërheqin produktet pirate, siç janë CD të ndryshme, DVD të ndryshme, qofshin të prodhimeve të Kosovës, por veçanërisht atyre ndërkombëtare", u shpreh Krasniqi.

Ministri Krasniqi tha se ka qenë obligim për institucionet që të krijojnë një kornizë ligjore për ta mbrojtur të drejtën e autorit.

"E drejta e autorit, duke qenë një e drejtë në sferën private. Për institucionet ka qenë obligative që të krijohet korniza ligjore, përmes së cilës ne e mbrojmë të drejtën e autorit dhe këtu bëjnë pjesë edhe gjykatat dhe policia, pra organet e rendit dhe të drejtësisë", theksoi Krasniqi.

Pirateria, ka goditur shumë fusha. Ndër to është edhe ajo e filmit dhe kinemasë.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë tha se një ligj i tillë është shumë i rëndësishëm, sidomos për filmin.

Sipas tij, rezultatet do të shihen edhe në ngritjen e shikueshmërisë së filmave në kinema.

"Mendoj se ky ligj është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se është në interes në përgjithësi të Kosovës, në veçanti do të thosha të sektorit audio-vizuel, pra edhe për filmin. Mendoj se edhe Task-forca që është themeluar nga Ministria e Kulturës, besoj që do t'i kontribuojë kësaj".

"Besoj që do të shihen rezultatet konkrete edhe në ngritjen e shikueshmërisë në kinematë e Kosovës, që është pjesë shumë e rëndësishme e industrisë së filmit në përgjithësi",
tha Berisha.

Ai u shpreh mjaft optimist për luftimin e piraterisë:

"Jam i prirë të besoj që do të ketë sukses. Nëse e krahasojmë me Ligjin kundër pirjes së duhanit, mendoj që duhet të jemi optimistë".

Jo vetëm Kosova, por edhe vendet tjera kanë probleme me luftimin e piraterisë, sidomos asaj që zhvillohet përmes internetit. Në shumë raste, kjo madje paraqitet si një luftë e humbur.

Edhe në rastin e Kosovës, ministri Memli Krasniqi tha e sheh këtë si një problem.

"Çështja e internetit, pa dyshim, që është një problem, me të cilin ballafaqohet e gjithë bota, edhe vendet më të zhvilluara çështjet e shkeljes së të drejtës së autorit, i kanë trajtuar me dekada".

"Por, unë mendoj që duke u nisur nga hapat, me të cilët ne jemi marrë, kanë rezultuar edhe me hapa konkret nga ana e organeve gjyqësore. Tash së fundmi kemi pasur një rast të arrestimit dhe procedimit të ndjekjes penale, pikërisht për shkak të shkeljes së të drejtës së autorit nëpërmes internetit"
, theksoi Krasniqi.

Javë më parë, drejtori i një kompanie diskografike në Prishtinë, është arrestuar nga Policia e Kosovës pikërisht nën dyshimet për shkelje të Ligjit për të drejtën e autorit.

Ai është paditur në Prokurorinë e Shtetit të Kosovës nga produksioni “Stupcat Group", për shfrytëzim të paautorizuar të materialeve duke keqpërdorur afër 15 milionë klikime në “Youtube”, të cilat transformohen në para.

Ministri Krasniqi ftoi të gjithë ata që iu shkelen të drejtat autoriale nga kushdo qoftë, që të bëjnë denoncime, qoftë përmes padive, apo kallëzimeve në polici e gjykata kompetente, në mënyrë që pastaj të merren organet e drejtësisë me këto raste.
XS
SM
MD
LG