Ndërlidhjet

Decentralizimi, komunat me kompetenca e pa para


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili deri para një muaji mbante postin e nënkryetarit të Bashkësive të Njësive për Vetëqeverisje Lokale, thotë se procesi i decentralizimit qëllimisht sfidohet nga pushteti qendror për të pasur kontroll absolut në atë vendor.

“Kam përshtypjen, po gjithsesi ndaj dhe bindjen se pushteti qendror, jo vetëm ky që është aktualisht, po të gjitha përbërjet e pushtetit qendror, janë të prira që të decentralizojnë problemet, të decentralizojnë kompetencat, por jo të decentralizojnë edhe financat”.

“Në fakt, kemi një dekoncentrim të kompetencave po edhe të të gjitha sferave që janë problematike, por nuk kemi decentralizim fiskal siç duhet. Maqedonia mbetet një nga shtetet më të centralizuara në regjion, pas Greqisë dhe Qipros. Do të thotë është shteti më i centralizuar në rajon”, është shprehur Mexhiti.

Ai konsideron se financat janë parakusht për realizimin e kompetencave, në përgjithësi dhe pikërisht mungesa e financave e bën të varur pushtetin vendor nga ai qendror.

Sipas Mexhitit, decentralizimi sfidohet nga pushteti për një arsye të vetme - që drejtuesit komunalë, veçanërisht ata shqiptarë, mos kenë pushtet në komunat që i drejtojnë, por të njëjtit të kontrollohen nga Qeveria përmes kompetencave të cunguara.

Izet Mexhiti
Izet Mexhiti
“Është bindje imja personale që edhe decentralizimi këtu në Maqedoni, ngec apo zvarritet si pasojë e komunave shqiptare. Pra, mendoj se pikërisht për shkak të komunave shqiptare, nuk ka një decentralizim të mirëfilltë në Maqedoni, i cili do të realizohej shpejt sipas dinamikës së paraparë gjatë miratimit të Ligjit të 2005-s, për ndarje territoriale, ngase me forcimin e komunave, në njëfarë mënyre ata do të ishin shtet në shtet”.

Në atë rast, ne nuk do të kemi nevojë të lusim dikë për realizimin e aspiratave tona për realizimin e kërkesave tona, mendoj si shqiptarë, për të përmirësuar standardin jetësor, për investimet që mund të vijnë këtu kur kemi parasysh se kemi një potencial shumë të fuqishëm në diasporë, po edhe brenda shtetit”, thekson Mexhiti.

Sipas kryetarit të komunës së Çairit të Shkupit, njëherësh dhe nënkryetar i partisë shqiptare në pushtet, mbi 20 komuna në Maqedoni janë fiktive, ose siç i quan ai, janë komuna politike pa perspektivë. Mexhiti është i mendimit se në të mirë të qytetarëve dhe të funksionimit të decentralizimit, është që ato të shuhen, sesa të mbeten barrë për komunat tjera dhe për buxhetin e Qeverisë së Maqedonisë:

“Ligji për ndarje territoriale nuk është as Bibël, e as Kuran, që të mos pësojë ndryshime. Ai ka pësuar ndryshime brenda këtyre 20 viteve tri herë. Gjatë sistemit monist në Maqedoni ka pasur 33 komuna. Më pastaj u formuan 125 komuna dhe tani në Republikën e Maqedonisë ka 81 komuna”.

“Mendimi im është se Maqedonia ka kapacitet për 50, eventualisht 60 komuna dhe nëse analizohet, del qartë se diku mbi 20 komuna janë politike, të cilat janë formuar gjatë ndarjes territoriale të 2005-s, sepse deputeti ka qenë i fuqishëm ose lobist gjatë ndarjes”
, thotë Mexhiti, duke shtuar se bllok-donacionet që Ministria e Financave ndan çdo vit për komunat, janë të pamjaftueshme për mbarëvajtjen e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe institucioneve dhe aktiviteteve kulturore.
XS
SM
MD
LG