Ndërlidhjet

KDI: Kuvendi me deficit të kulturës politike


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Puna gjashtëmujore e deputetëve dhe Kuvendit të Kosovës, nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, ka vlerësuar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e këtij institucionin.

Drejtuesit e këtij instituti thanë se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë po e mban nën dirigjim punën e Kuvendit të Kosovës.

Driton Selmanaj, menaxher i projektit “Demokratizimi dhe Praktika Parlamentare”, në një konferencë me gazetarë, theksoi se kjo periudhë kohore është karakterizuar me një kontroll sipërfaqësor parlamentar, me një proces ligjbërës pa konsultime të nevojshme me publikun dhe faktorët tjerë relevant, dhe me një rol jo edhe aq përfaqësues të interesave të qytetarëve.

Kjo gjendje në Kuvend, nxjerr konkludimin që Kuvendi i Kosovës ka deficit të kulturës politike dhe parlamentare në kryerjen e mandatit kushtetues që ka”, u shpreh Selmanaj.

Selmanaj tha se Kuvendi nuk po arrin që të monitorojë, pavarësisht që ishte krijuar një praktikë e mirë e raportimit të kryeministrit të Kosovës para Kuvendit, pas çdo takimi të realizuar në Bruksel.

Kjo praktikë tashmë ka filluar të injorohet dhe me gjasë ratifikimi i marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmejt Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ka krijuar komoditet që kryeministri t’u ikë obligimeve që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës.

Negativitet në punën e Kuvendit, sipas Selmanajt, ka dhënë edhe mosefikasiteti i dy komisioneve, atij për reformë kushtetuese dhe atij për reformë zgjedhore. Me gjithë punën e bërë, të dy këto komisione, sipas Selmanajt, pa asnjë kuptim logjik dhe praktikë ajo(puna) ka mbetur peng i tekeve personale dhe politike të lidershipit politik në vend.

Gjatë kësaj periudhe kohore, tha Selamanaj, janë mbajtur 36 seanca plenare, prej tyre 22 të rregullta, 2 të jashtëzakonshme, kurse 11 kanë qenë të karakterit solemn nga të cilat 8 të karakterit përkujtimor.

Një dobësi tjetër e Kuvendi, u tha në konferencë, ishte edhe moskryerja e punës së Kuvendit për monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe punës së ekzekutivit.

“Kontrolli i dobët parlamentar nga njëra anë dhe nga ana tjetër tendencat e fuqishme nga ekzekutivi i vendit për ta shndërruar Kuvendin e Kosovës në legjitimues me çdo kusht të vendimeve të saj, ka bërë që Kuvendi, edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes nderkombëtare të pavarësisë të mos arrijë të fuqizohet bazuar në kompetencat kushtetuese”, theksoi Selmanaj.

Një nga faktorët e tjerë që e ka zbehur punën e Kuvendit, është edhe ajo e ndikimeve nga jashtë të deputetëve për të votuar për ose kundër një ligji.

“Po, definitivisht është dëshmuar se deputetët kanë presion. Dhe, jo vetëm nga partitë e tyre politike, po madje edhe nga adresat e caktuara politike në Kosovë, që mund të jetë edhe prezenca ndërkombëtare. Në të kaluarën kemi pasur raste dhe më banale, kur një amendament është propozuar për t’u ndryshuar në fund të amendamentit secili deputet e ka pasur edhe pjesën pohore ‘Po’ ose ‘Jo’. Aq poshtë ka rënë besimi ndaj deputetëve sa që më nuk po iu besojnë edhe nëse i urdhërojnë diku jashtë Kuvendit”, tha Driton Selmanaj.

Ndryshe, sipas programit legjislativ 2013, janë paraparë që të miratohen 98 ligje. Besnik Ramadanaj nga KDI-ja tha se megjithëse programi i Kuvendit edhe më tej varet nga strategjia legjislative e Qeverisë, në gjashtëmujorin e parë Kuvendi i Kosovës ka arritur që në lexim të parë t’i kalojë 29 projektligje, po aq sa ka shqyrtuar edhe në lexim të dytë.

“Krahasuar me vitin e kaluar, kur për 12 muaj ishin miratuar 62 projektligje, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë miratuar rreth gjysma e këtij numri, 29. Ky krahasim tregon se nëse legjislativi vazhdon me këtë dinamikë, por edhe dinamikën e vitit të kaluar, programi legjislativ do të zbatohet rreth 70 për qind”, potencoi Ramadanaj.

Një problem tjetër sa i përket programit të punës së Kuvendit është edhe ai se nga 98 projektligje të parapara për miratim gjatë vitit 2013, më shumë se gjysma e tyre janë për ndryshim-plotësim.

Sipas KDI-së, në këtë gjashtëmujor të parë të këtij viti, deputeti më aktiv është treguar Visar Ymeri nga Vetëvendosje, më pasivja deputetja Rada Trajkoviq nga Lista e Përbashkët Serbe.
XS
SM
MD
LG