Ndërlidhjet

Maqedoni: Shoqëria e papërgatitur për të drejtat e LGBT-së


Komuniteti LGBT në Maqedoni
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:01 0:00

Komuniteti LGBT në Maqedoni

Organizatat joqeveritare, të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, konsiderojnë se “diskriminimi ndaj pakicave seksuale në Maqedoni” është rrjedhojë e politikave të Qeverisë, e cila ec në drejtim të kundërt sa i përket përmbushjes së direktivave të BE-së për respektimin e të drejtave të njeriut.

"Raporti i Qeverisë dhe vetë mekanizmat që përdor për mbrojtjen njerëzve të komunitetit LGBT në Maqedoni, rrit edhe më shumë paragjykimet e qytetarëve ndaj kësaj kategorie. Madje, vë në pikëpyetje vendosmërinë e institucioneve, të cilat janë të thirrura të mbrojnë parimet e mosdiskriminimit dhe barazisë", thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i komunitetit LGBT në Maqedoni, Koço Andonovski.

Ai thekson se Qendra Mbështetëse e komunitetit LGBT, është sulmuar disa herë dhe deri më tani autorët për organet policore mbeten të panjohur, gjë që inkurajon edhe më shumë mungesën e tolerancës ndaj popullsisë me orientim seksual ndaj gjinisë së njëjtë.

“Në vend se të gjenden autorët, të cilët shfaqën dhunë ndaj LGBT-së, Qeveria në të njëjtën kohë ngre iniciativë për ndryshimin e Kushtetutës, ndalimin e martesave të së njëjtës gjini apo ndalimin e birësimit të fëmijëve nga pjesëtarët e komunitetit LGBT, thjesht instalon një agjendë homofobike”, shprehet Andonovski.

“Sqarimet që u dhanë për ndryshimet kushtetuese, se me to tentohet të ruhet bashkëshortësia tradicionale, atëherë unë pres që në këtë iniciativë të përfshihet dhe ndalesa për shkurorëzim, sepse sipas traditës shkurorëzimi është diçka jo e pëlqyeshme që duket qartazi se ndodh edhe në mesin e atyre që na udhëheqin”, shton Andonovski.

Ndërsa, qytetarët e Maqedonisë shprehin mendime të ndara sa i përket realizimit të drejtave të komunitetit LGBT.

”Po mendoj se nuk ka asnjë kuptim që njerëz të gjinisë së njëjtë të martohen ose të bashkëjetojnë”, shprehet personi i anketuar nga Radio Evropa e Lirë, ndryshe nga një tjetër qytetar që është pro të drejtave, por jo pro martesës:

“Po mendoj se ata (LGBT) duhet t’i gëzojnë të drejtat e tyre, po jo të miratohet ligj që do të mundësojë martesat mes gjinisë së njëjtë”.

“Në përgjithësi nuk mund të them se kam ndonjë mendim lidhur me këtë çështje, sepse ne kemi zgjedhur një Qeveri, e cila na përfaqëson dhe nëse shumica mendon kjo politikë rreth të drejtave të LGBT-së është e drejtë, do të thotë se shumica pajtohet me këto qëndrime. Sa i përket mendimit tim, s’mund të them asgjë në këtë drejtim”
, shprehet një qytetar.

”Aspak nuk janë të garantuara të drejtat e tyre, madje nuk di në gëzojnë ata ndonjë të drejtë”, shprehet qytetari tjetër.

Po unë jam kundër, kjo është diçka shumë e keqe, si me fe, dhe normalisht, do të ketë edhe trazira, sepse ky fenomen është i dëmshëm për shoqërinë”, thotë një qytetar tjetër.

Nga ana tjetër, Brukseli ka porositur Maqedoninë që duhet të rregullojë dispozitat ligjore, me të cilat garantohet mbrojtja nga diskriminimi konform legjislacionit të BE-së, përfshi këtu edhe mbrojtjen nga diskriminimi mbi baza të orientimit seksual.

Madje, edhe të gjithë përfaqësuesit diplomatikë në Maqedoni disa herë radhazi kanë dënuar ashpër sulmet ndaj Qendrës së LGBT-së duke theksuar se ky akt flet qartë për mungesën e tolerancës dhe demokracisë në vend.

Javën e kaluar grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së ka ngritur iniciativë për ndryshime kushtetuese, përmes së cilave kërkohet përkufizim i qartë i bashkëshortësisë, kurorëzimit vetëm të një burri dhe gruaje dhe assesi ndryshe.

Për këtë nismë, VMRO-ja nuk është konsultuar me partnerin e koalicionit, BDI-në, dhe as me partitë opozitare, ndërkohë që për ndryshimet kushtetuese nevojiten 2/3 e votave.

Megjithatë, Vlladimir Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së, i cili zbardhi këtë nismë, shprehet optimist për mbështetjen edhe të deputetëve të tjerë.

Por, derisa partneri shqiptarë në Qeveri, BDI-ja, nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të prerë rreth kësaj çështjeje, opozita maqedonase ka theksuar se partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO - DPMNE, me këtë iniciativë synon të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit publik nga problemet kyçe, me të cilat përballet vendi.
XS
SM
MD
LG