Ndërlidhjet

Kreditë, malli më i shtrenjtë


Ilustrim
Ilustrim
Kreditë vazhdojnë të jenë malli më i shtrenjtë në Kosovë, theksojnë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve normat e interesit për kredi, nuk kanë arritur të ulen, pavarësisht faktit se në tregun financiar ka hyrje të reja të bankave komerciale.

Muhamet Sadiku, profesor në Kolegjin “RIINVEST”, konsideron se normat e interesit për kredi janë dyfish më të larta se në tregjet financiare të zhvilluara dhe dukshëm më të larta se në vendet rajonale.

“Në një situatë të tillë kur mungojnë edhe instrumentet tjetra financiare, alternativë për të gjitha bizneset dhe popullatën mbetet që të shërbehen me kredi të shtrenjta. Dhe, në këtë situatë, bankat komerciale janë akomoduar mirë, sepse mungesa e këtyre instrumenteve të reja ka bërë që kredia në Kosovë të jetë malli më i shtrenjtë”, thotë Sadiku.

Kamatat e kredive në Kosovë sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Kreditë më të shtrenjta mbesin ato për biznese dhe bujqësi.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Ismail Kastrati, thotë se tashmë dihet se kamatat për kredi janë të shtrenjta dhe arsye mbetet kthimi i pasigurt i kolateralit dhe shkalla e lartë e rrezikut.

“Dihet publikisht se në Kosovë kamatat janë më të lartat në rajon, përkundër që norma pasive është më e ulët dhe kreditë e këqija janë me përqindje relativisht më të ulëta se në rajon. Arsye e vetme që bankat janë të shtrenjta, janë kthimi i pasigurt i kolateralit dhe shkalla e lartë të rrezikut”, shprehet Kastrati.

Por, Muhmaet Sadiku shpjegon edhe një arsye tjetër pse normat e interesit për kredi vazhdojnë të mbesin në këtë nivel. Sipas tij, zhbllokimi i mjeteve nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore dhe kthimi i mjeteve të Trustit Pensional në tregun financiar në vend, do të mund të ndikonte në uljen e kamatave të interesit.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
“Në anën tjetër, edhe oferta është e varfër për shkak se mjetet e privatizimit mbesin të ngrira, pastaj mjetet e Trustit, kryesisht janë të plasuara në tregun e jashtëm dhe depozitat buxhetore një pjesë e tyre dërgohen në botën e jashtëm dhe krejt kjo bën trysni në biznese që shpëtimin ta gjejnë vetëm me kredi të shtrenjta dhe kjo normalisht është rrënuese edhe për aftësinë konkurruese të bizneseve të vendit”, konsideron Sadiku.

Ndryshe, në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Nga totali i kredive, afër 70 për qind janë kredi për ndërmarrje. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë, sektori i industrisë dhe ekonomitë familjare.
XS
SM
MD
LG