Ndërlidhjet

Mbi 600 të vrarë në Egjipt, Turqia kërkon takim të OKB-së


Kampet e Vëllazërisë Myslimane para dhe pas ndërhyrjes
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Kampet e Vëllazërisë Myslimane para dhe pas ndërhyrjes ( Ahmet Ragab, korrespondent i RFE/RL së Irakut në Kajro)

Autoritetet e Egjiptit thonë se 620 njerëz kanë humbur jetën të mërkurën, kur forcat e sigurisë kanë sulmuar kampet e protestuesve islamikë në Kajro. Shumica e viktimave janë shënuar në kryeqytet, ndonëse dhunë ka pasur në gjithë vendin.

Numri përfundimtar besohet të jetë më i lartë pasi dhjetëra trupa të pajetë nuk janë regjistruar. Mbi 3,500 veta thuhet të jenë plagosur.

Mbështetësit e presidentit të përmbysur, Mohammed Morsi, thonë se bëhet fjalë për më shumë se 2 mijë të vrarë.

Në një konferencë për media në Ankara, kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Egjipt.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të mblidhet sa më shpejt. Secili duhet të thotë ‘po’ për hapat e nevojshëm, që duhet të ndërmerren. Nëse dikush do të thotë ‘jo’, ata do të kenë përgjegjësi historike”, ka thënë Erdogan.

Qeveria me rrënjë islamike e Turqisë ka ushqyer lidhje të ngushta me Morsin dhe Erdogani ka qenë një kritik i hapur i përmbysjes së presidentit islamik nga ushtria.

Dhuna në Egjipt është dënuar nga fuqitë rajonale, Turqia dhe Irani, si dhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u ka bërë thirrje të gjitha forcave që të zmbrapsen dhe të parandalojnë gjakderdhjen e mëtejshme.

“Këto ngjarje janë të mjerueshme dhe në kundërshtim me aspiratat e egjiptianëve për paqe dhe demokraci të mirëfilltë. Egjiptianët, brenda dhe jashtë qeverisë, duhet të zmbrapsen. Ata duhet të qetësojnë situatën dhe të shmangin humbje të mëtejshme të jetëve. Ne po ashtu kundërshtojmë rikthimin në gjendje të ligjit emergjent dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të respektojë të drejtat themelore të njeriut”, ka thënë Kerry.

Megjithatë, Erdogan ka kritikuar atë që ka cilësuar si heshtje të Perëndimit përballë zhvillimeve shqetësuese në Lindjen e Mesme.

“U bëj thirrje vendeve të Perëndimit. Keni qenë të heshtur për Palestinën, Gazën; keni mbetur të heshtur për Sirinë. 100,000 njerëz kanë humbur jetën dhe ju vazhdoni të jeni të heshtur. 400,000 njerëz kërkojnë strehim në Turqi dhe ju mbeteni të heshtur. Ju jeni të heshtur edhe për Egjiptin. Andaj, si flisni për demokracinë, lirinë, vlerat dhe të drejtat e njeriut?”, është shprehur Edogan.

Autoritetet ushtarake në Egjipt kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjithë vendin, e cila do të zgjasë një muaj.

Mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane, megjithatë, janë zotuar se do të vazhdojnë fushatën e tyre për rikthimin e Morsit, i cili është përmbysur nga ushtria më 3 korrik.

Përmbysja e Morsit ka ndodhur pasi miliona egjiptianë kanë protestuar kundër lidhjeve të presidentit me islamistët dhe dështimit të qeverisë së tij për të ndaluar rënien ekonomike që prej revolucionit të vitit 2011.

Egjipti ka qenë nën ligjin e emergjencës për shumicën e 29 vjetëve të Hosni Mubarakut në pushtet. Mubarak është përmbysur nga revolta popullore, para dy vjetësh.(v.tela)
XS
SM
MD
LG