Ndërlidhjet

Ban Ki-moon i shqetësuar me trazirat në Egjipt


Egjipt...
Egjipt...
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e trazirave në Egjipt.

Zoti Ban e ka dënuar dhunën dhe ka vlerësuar se ajo është e “papranueshme”

Në deklaratën e publikuar mbrëmë vonë nga zëdhënësi i tij, Ban Ki-moon, ka kërkuar përfundimin e protestave të dhunshme dhe ka vlerësuar se është “përdorë forcë e tepruar” kundër tyre.

“Çfarëdo qofshin ankesat, nuk ka arsyetim për shkatërrim të infrastrukturës dhe pasurisë, aq të rëndësishme për të ardhmen e Egjiptit”, thotë Ban Ki-moon.

Të dielën në mëngjes, forcat e sigurisë së Egjiptit, i kanë larguar mbështetësit islamikë të presidentit të përmbysur Muhammad Morsi, nga një xhami në kryeqytetin Kajro.

Aksioni i forcave të rendit u bë pas trazirave, me ç’rast ka pasur edhe shkëmbime të të shtënave.

Më se 750 njerëz janë vrarë prej ditës së mërkurë, kur në gjithë Egjiptin shpërthyen protesta dhe përleshje, pasi forcat e sigurisë i shkatërruar dy kampe të protestuesve në Kajro.

Vëllazëria Myslimane, lider i lartë i së cilës është Morsi, ka shprehur përkushtim për vazhdimin e protestave ditore.

Qeveria thotë se po e shqyrton mundësinë e shpërbërjes juridike të kësaj lëvizjeje.

Kryeministri i përkohshëm i Egjiptit, Hazem el-Beblawi, tha se nuk mund të ketë pajtim me “ata që e kanë shkelur ligjin”.

“Nuk ka pajtim me ata që duart i kanë të mbuluara me gjak. Nuk ka pajtim për askënd, që i ka ngritur armët kundër vendit, kundër popullit të vet. Nuk ka pajtim me ata që e kanë shkelur ligjin”, tha el-Beblawi.

Nuk ka pasur raporte për protesta të mëdha gjatë ditës së Shtunë.

Ministria e Brendshme e Egjiptit ka thënë se policia ka arrestuar më se një mijë “elemente” të Vëllazërisë Myslimane, pas trazirave të ditës së premte.

Nga ana tjetër, Vëllazëria Myslimane thotë se djemtë dhe vajzat e udhëheqësve të saj, ishin në shënjestër në përpjekjeve për ta dëmtuar rëndë këtë lëvizje.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Egjiptit njoftoi se 250 mbështetës të Vëllazërisë Myslimane mund të ballafaqohen me akuza për vrasje, përpjekje për vrasje dhe terrorizëm.

Qeveria ka imponuar orë policore prej perëndimit të Diellit e deri në agim, që duket se do të zgjasë deri në mes të muajit Shtator.

Për të parën herë prej ditës së Mërkurë, kur ka pasur gjakderdhje, sot janë rihapur bankat dhe bursat, të cilat punojnë tri orë, e jo katër, për shkak të jostabilitetit. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG