Ndërlidhjet

Egjipti ende larg qetësisë, shënohen viktima të reja


Egjipt...
Egjipt...
Së paku 24 persona janë vrarë në një sulm që ndodhi në gadishullin e përfshirë nga dhuna, Sinai. Zyrtarët e sigurisë kanë thënë se policët kanë qenë duke udhëtuar me dy autobusë, të cilët janë sulmuar nga persona të armatosur në qytetin Rafah, në kufirin me Gazan, mëngjesin e së hënës.

Militantët kanë rritur sulmet në rajonin e shkretëtirës Sinai, kryesisht duke sulmuar forcat e sigurisë së Egjiptit, që prej së ushtria e hoqi nga pushteti liderin islamik, Muhammad Morsi, më 3 korrik.

Sulmi i së hënës është realizuar pas vdekjes së pasqaruar të 36 të burgosurve në periferinë e Kajros, të shtunën.

Vëllazëria Myslimane e cila e përkrah Morsin, ka thënë se të burgosurit kanë pësuar asfiksi në pjesën e pasme të një furgoni policor, që ishte i tejmbushur me të burgosur.

Ministria e Brendshme ka thënë se një polic ishte marrë peng dhe për këtë ata është dashur që të hedhin gaz lotsjellës në furgon, që, sipas minsitrisë, është arsyeja e vdekjes së të burgosurve.

Derisa dhuna vazhdon në këtë shtet, Bashkimi Evropian planifikon që të rishikojë marrëdhëniet me Egjiptin. Gjatë takimeve në Bruksel të kësaj jave, BE mund të ndalojë diçka prej ndihmës pesë miliardë eurove që i kishte premtuar më parë për Kajron.

Të dielën, ministri i Jashtëm saudit, Saud al Faisal e ka paralajmëruar perëndimin pas një takimi në Paris me presidentin francez, Francois Hollande, se duhet të bëjë presion ndaj ushtrisë egjiptiane që t’i japë fund shtypjes së protestave.

"Ne kemi biseduar për qëndrimet tona të përbashkëta për atë se çfarë po ndodh. Ne shpresojmë që qëndrimet e përbashkëta do të çojnë deri një qëndrim i unifikuar për atë se çfarë duhet bërë. Unë nuk mendoj që presioni ndaj Egjiptit do të arrijë qëllimin për të ndihmuar në rikthimin e paqes dhe sigurisë kombëtare në Egjipt”, ka thënë ministri saudit.

Riadi ka qenë një aleat i afërt i ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, i cili është hequr nga qeveria në kryengritjen e vitit 2011, kryengritje kjo që e solli në pushtet Vëllazërinë Myslimane të Morsit.

Ndërkaq, presidenti i Francës, Fransua Hollande, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja në Egjipt.

"Ne e kemi një përgjegjësi të përbashkët, vendet arabe, Evropa, Franca duhet të punojnë që dhuna të ndalohet, që autoritetet politike egjiptiane të mund të shkruajnë një udhërrëfyes si referencë për javët e ardhshme, dhe që të lejojë organizimin e zgjedhjeve së shpejti përmes së cilës populli egjiptian të mund të shpreh qëndrimin e tij”, ka thënë Hollande.

Shifrat e fundit të qeverisë thonë se së paku 830 persona janë vrarë nga e mërkura në përleshjet ndërmjet përkrahësve të presidentit të hequr nga pushteti, Muhammad Morsi, dhe forcave të sigurisë.

Për shkak të dhunës, është deklaruar gjendje e jashtëzakonshme dhe është vendosur orë policore gjatë natës në disa krahina dhe kryeqytetin Kajro.

Udhëheqësi i ushtrisë egjiptiane ka paralajmëruar të dielën se ai nuk do të tolerojë dhunë të mëtutjeshme. Ministri i Mbrojtjes, Abdel Fatah al Sisi, gjithashtu ka thënë se "në Egjipt ka vend për të gjithë”. (a.haraçia)
XS
SM
MD
LG