Ndërlidhjet

Prishtina: Daçiq nuk vendos për fletëvotimet


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Janë jorelevante për procesin zgjedhor, deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, për heqjen e logos shtetërore nga fletëvotimet, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë që opozita konsideron se Beogradi qysh tani po tregon shenja të jo gatishmërisë së zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit, të arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

Bekim Çollaku, këshilltar i parë i kryeministrit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimin për fletëvotimet do ta marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe se deklarata e Daçiqit nuk mund të ndikojnë në procesin tashmë të filluar të përgatitjes dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe organet e pavarura, në këtë aspekt Komisioni Qendror Zgjedhor, është institucioni i vetëm legjitim për të vendosur për përmbajtjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në nëntor. Ndërsa, deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, në këtë rast e kryeministrit të Serbisë është jo relevante dhe nuk ka asnjë lloj implikimi në procesin tonë të brendshëm”, thotë Çollaku.

Bazuar në deklaratat e kryeministrit serb, Daçiq, nëse fletëvotimet do të mbajnë logon e Republikës së Kosovës, atëherë Beogradi nuk do t’u bënte fare thirrje serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje.

Këtë kërkesë, Daçiq e ndërlidh me faktin se Marrëveshja e Brukselit është neutrale në raport me statusin e Kosovës dhe ajo nuk mund të paragjykojë shtetësinë e saj as me anë të simboleve.

Me marrëveshjen e 19 prillit, Beogradi ishte zotuar se do të inkurajojë serbët lokalë në Kosovë të dalin në votime, duke përfshirë edhe komunat veriore ku rezistenca politike e lidershipit të atjeshëm serb në raport me pranimin e shtetit të Kosovës është shumë më e madhe sesa në pjesët tjera.

I pyetur nëse Qeveria, për hir të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, do t’i rekomandojë KQZ-së që të heqë logon nga fletëvotimet, Çollaku thotë se KQZ-ja është organ i pavarur që vendos vetë.

“KQZ-ja është institucion i pavarur dhe qeveria nuk mund t’i bëjë rekomandime KQZ-së. Pra, ky organ është i pavarur dhe merr vendime në mënyrë të pavarur”, shprehet Çollaku.

Interpretimet e ndryshme që i bëhen Marrëveshjes së Brukselit, lideri opozitar Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës i sheh si përpjekje të Beogradit për shmangie nga zbatimi i obligimeve të marra në dialog. Heqja e logos së Republikës nga fletëvotimet, siç kërkon Beogradi, nga Mustafa është konsideruar si kërkesë e papranueshme.

“Ne gjithmonë dyshojmë nëse qeveria serbe ka vullnetin që të zbatojë marrëveshjen për të cilën ata në tavolinë janë pajtuar, mirëpo ne kemi përvoja dhe se ata gjithmonë pajtohen, por kur vjen procesi i realizimit është vështirë të zbatohen”, thekson Mustafa,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me një vendim se si do të duken fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Krejt çka anëtarët dhe kryesuesja e këtij organi kanë deklaruar deri më tani është se vendimi do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës.
XS
SM
MD
LG