Ndërlidhjet

Rikthehen produktet UNMIK/Kosovë?!


Foto e bërë më 14 shtator 2013
Foto e bërë më 14 shtator 2013
Pavarësisht faktit se vitin e kaluar, konkretisht në fillim të muajit qershor 2012, autoritetet kompetente kishin ndaluar importin dhe qarkullimin në tregun kosovar,për të gjitha prodhimet e rajonit me akronimin UNMIK/Kosovë, mallra të tilla ende qarkullojnë në disa dyqane në vend.

Në një nga marketet në qendër të Prishtinës, mund të blesh çaj frutash të kompanisë “Podravka”, ku në etiketën deklaruese, shkruan se vendi i origjinës është Serbia, kurse distributor për UNMIK/Kosovë është N.T.P “Elkos” sh.p.k –Pejë.

Ndërkaq, në disa nga këta artikuj nga e njëjta kompani është fshirë me ngjyrë të zezë, emri ku shkruan UNMIK.

Përfaqësues të kompanisë “Elkos” thonë se ka ndodhur një gabim teknik nga kompania “Podravka”. Ata kanë fshehur emrin UNMIK, por pastaj kanë larguar nga tregu të gjithë artikujt e tillë.

Kushtrim Muja, nga kjo kompani shpjegon:

“Ka qenë një gabim teknik që ka ndodhur me një ngarkesë me ata çaja, e cila është përmirësuar menjëherë, dhe tash e tutje ky produkt, nëse vizitojmë tregun, nuk janë më UNMIK/Kosovë, por vetëm me emrin Kosovë”.

Radio Evropa e Lirë: Ju e keni fshirë emrin UNMIK?

Produkti i së njëjtës kompani, ku mbishkrimi UNMIK është korrigjuar me laps (Foto më 16 shtator 2013).
Produkti i së njëjtës kompani, ku mbishkrimi UNMIK është korrigjuar me laps (Foto më 16 shtator 2013).
“Po, ne i kemi fshirë ato UNMIK, pasi ka ardhur gabim, ndërsa menjëherë është bërë kërkesë nga ‘Podravka’ që të përmirësohet ai mbishkrim dhe kompania në fjalë e ka përmirësuar gabimin dhe tashmë shkruan vetëm Kosovë”, thotë Muja.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nuk pranuar të japin ndonjë përgjigje pa i treguar se në cilin market gjenden artikujt në fjalë.

Pas marrjes së informacioneve të hollësishme inspektorët kanë vizituar dyqanin dhe kanë larguar nga vitrinat këtë produkt.

Pas gjithë kësaj, kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ruzhdi Shehu, thotë:

“Ne kemi hasur në një produkt, i cili është importuar atëherë kur janë importuar produkte me mbishkrimin UNMIK/ Kosovë. Por, që ka qenë jo përmirësim i mirë në etiketën e produktit. Dhe, në këtë drejtim, janë ndaluar nga qarkullimi deri në eliminimin e parregullsive nga ana e inspektorëve të tregut”.

Zyrtarë të Doganave pohojnë se nga marrja e vendimit për ndalimin e këtyre prodhimeve, në territorin e Kosovës nuk ka pasur hyrje të këtyre mallrave.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion thotë se vendimi është duke u respektuar.

“Sipas informatave që kemi në Doganat e Kosovës, ne nuk kemi pasur raste që oficerët doganorë kanë hasur në kësi lloji produktesh që kanë mbishkrime me vendin e destinimit UNMIK/Kosovë”, thekson Stavileci.

Ndryshe, në muajin qershor të vitit të kaluar, inspektorët e tregut të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, patën gjobitur shtatë kompani kosovare që importojnë produkte nga shtet e rajonit me mbishkrimin UNMIK/Kosovë.

Për këto veprime, kompanitë ishin gjobitur prej 2, 500 - 3.500 euro, varësisht nga sasia e zbuluar e mallrave me këto mbishkrime.
XS
SM
MD
LG