Ndërlidhjet

"Lojërat” parazgjedhore dhe presionet për vota


Ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, partitë politike në vend po e bëjnë atë në forma të ndryshme, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike dhe shoqërore në vend.

Sipas tyre, pjesë e kësaj fushate, janë edhe ndërrimi i subjekteve politike nga individë të caktuar, por edhe presionet ndaj votuesve potencialë nga ana e partive politike, për të siguruar votat nga ta.

Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i quan lojëra të partive politike dhe individëve të caktuar, kalimin e individëve nga një subjekt politik te një tjetër.

Nëse i shohim partitë në përgjithësi, atëherë format janë të ndryshme. E para që vërehet është kur anëtarët e një partie kërcënojnë me krijimin e formacioneve brenda partive. Pastaj, kemi edhe formën tjetër ku anëtarët e një partie blihen nga partitë tjera, e kështu me radhë. Do të thotë, kemi forma të ndryshme se si partitë po funksionojnë dhe po përpiqen ta mbajnë votën. Por, më e dëmshmja është ajo kur ushtrohet kërcënim ndaj të punësuarve në sektorin publik, qoftë në nivelin lokale, qoftë në nivelin qendror”, thotë Kursani.

Ekspertët e sociologjisë vlerësojnë se qytetarët janë cak i presioneve para dhe gjatë zgjedhjeve. Sociologu Shemsi Reçica thotë për Radion Evropa e Lirë se në shumë raste qytetarët kushtëzohen dhe u bëhet shantazh nga liderët e partive politike që votën t’ua japin pa vullnetin e tyre.

“Kushtëzohen me vendin e punës për ta ose për të afërmit e tyre. Do të thotë, kemi të bëjmë me një lloj presioni, një lloj shantazhi nga liderët e partive politike, për të kaluar nga një parti në partinë tjetër dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me bindjet e tyre politike, e as me vullnetin e tyre. Kjo, sigurisht, që e dëmton shumë demokracinë e brishtë në Kosovë”, konsideron Reçica.

Në anën tjetër, edhe disa qytetarë të Prishtinës i vlerësojnë si të padrejta dhe të dëmshme presionet e partive politike ndaj qytetarëve për t’ua marrë votat.

Mehmet Çunaku thotë se presionet kryesisht i bëjnë partitë që janë në pushtet.
Partitë që janë në pushtet i kërcënojnë ata që janë në vende të punës, se nëse nuk votojnë për ta, do t’i largojnë.

“Partitë, të cilat janë në opozitë, me siguri nuk kanë mundësi t’iu ofrojnë ndonjë ndihmë punësimi ose kërcënim me largim nga puna. Por, partitë që janë në pushtet i kërcënojnë ata që janë në vende të punës, se nëse nuk votojnë për ta, do t’i largojnë. Ndërkaq, ata që nuk kanë punë, i joshin kinse për t’i punësuar në rast se votojnë për ta. Edhe ajo parti që është në opozitë, kur të vijë në pushtet, ndoshta e bën të njëjtën”, thotë Çunaku.

Ngjashëm shprehet edhe Shpresa Avdyli:

“I kushtëzojnë. Kryesisht, një pjesë të mirë të popullit, varësisht ku ata janë të punësuar në sfera të ndryshme, mendoj që u bëjnë presion që ‘t’ia japin votën kryetarit të caktuar ose deputetëve të ndryshëm. Dëgjojmë edhe raste që i tregojnë. Ne si popull, nganjëherë dimë të bëhemi shumë naivë dhe nuk mund t’i hapim sytë mjaft, sa i përket këtij aspekti, prandaj ndodhin këto që ndodhin”.

Analisti Kursani, thekson se për të mbajtur votën ose për të përfituar votat e reja, partitë politike përdorin forma të padrejta ndaj qytetarëve. Sipas tij, ata kërcënohen me humbjen e vendeve të punës nëse nuk votojnë për një lider ose parti të caktuar.

Me këtë, sipas tij, kërcënohen edhe familjet e individëve për shkak se shkalla e punësimit në Kosovë është tejet e ulët. Në këtë mënyrë, thotë Kursani, qytetarët bien pre të partive politike dhe e gjithë kjo situatë, sipas tij, është tejet e dëmshme.

“Kjo zhvlerëson shumë gjëra, sepse demokracia nuk ka të bëjë vetëm që të dalësh dhe të votosh, por ka të bëjë edhe me lirinë e atyre njerëzve për t’u shprehur, si dhe me pjesëmarrjet tjera publike. Këto shantazhe dhe kërcënime që po bëhen, normalisht që e bëjnë procesin zgjedhor të padrejtë”, vlerëson Kursani.

Edhe sociologu Reçica vlerëson se e gjithë kjo situatë ku ushtrohet presione mbi qytetarët e dëmton procesin e drejtë zgjedhor, por jo vetëm atë.
...njerëzit po përballen me papunësinë dhe me varfërinë dhe ata janë të detyruar të bëjnë diçka, për të cilën nuk kanë vullnet, mirëpo kjo u imponohet atyre.

“Procesi mund të jetë demokratik ose jodemokratik. Mirëpo, çfarë mund të thuhet? Kjo ndikon në dinjitetin e njeriut, në dinjitetin e qytetarit, për arsye se njerëzit po përballen me papunësinë dhe me varfërinë dhe ata janë të detyruar të bëjnë diçka, për të cilën nuk kanë vullnet, mirëpo kjo u imponohet atyre”.

“Prandaj, unë po them se kjo ndikon drejtpërdrejtë në dinjitetin e njeriut, si dhe në etikën dhe moralin e tij, sepse askush nuk e ndien veten mirë kur është i detyruar nga një shtysë, nga një faktorë i jashtëm, të veprojë diçka për të cilën nuk ka vullnet”
, thekson Reçica.

Analistët politikë dhe sociologët, gjithashtu, vlerësojnë se presionet, shantazhet dhe kërcënimet ndaj qytetarëve për t’ua marrë votat, e bëjnë procesin zgjedhor të padrejtë, si dhe votën e lirë të qytetarëve e bën jo të lirë.
XS
SM
MD
LG