Ndërlidhjet

Partitë "deklarojnë" 1.5 milion euro për fushatë


Ilustrim
Ilustrim
Mbi 1.5 milion euro po del të jenë planifikuar të shpenzohen për zgjedhjet e 3 nëntorit nga pesë partitë më të mëdha në vend.

Hisen më të madhe të deklaruar për Radion Evropa e Lirë, del ta ketë Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse më të voglën Aleanca për Kosovën e Re.

Partia më e madhe në nivel të vendit, Partia Demokratike e Kosovës nuk e deklaron në saktësi shumën e paraparë për fushatën në nivel vendi.

Blerand Stavileci nga PDK-ja, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt do të respektojë normën që ka përcaktuar Komisioni Qendror Zgjedhor, për afro 1,7 milion votues.

“Numri i votuesve dhe 50 centëshi, besoj se ky është limit i cili duhet të respektohet nga të gjithë”, thotë ai.

“Nuk e di saktë [se sa do të jetë buxheti] por e di që këtë duhet ta respektojnë, dhe nëse e shohim nga zgjedhjet e kaluara, duke e ditur që gjithmonë i kemi respektuar, nuk e besoj që ka diçka që mund të tejkalojë. Bile, bile do të thosha që edhe më pak [se 800 mijë euro], duke e ditur që në një pjesë të madhe të komunave, u patën përsëritur zgjedhjet, kështu që ne kemi vendosur që shumë më shumë kohë t’ia kushtojmë terrenit”, shton Stavileci.

Mungesën e të dhënave, ai e arsyeton me vështirësinë në planifikim si një ndërmarrje, “që për secilën ditë të dihet, dhe të planifikohen në mënyrë të saktë shpenzimet”.

Respektimin e normës e propagandon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila shpjegon për Radion Evropa e Lirë se planifikimet e saja nuk do të tejkalojnë 500 mijë euro, sa thotë t’i ketë kursyer për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Lutfi Zharku, si zyrtar financiar i LDK-së thotë se partia do të shpenzojë më pak se plafoni prej 800 mijë eurosh që caktoi KQZ-ja.

“E gjithë shuma me ligjin e ri, pavarësisht dega, apo e financon qendra, duhet të jetë në kuadër të kufizimeve, atë se janë 50 cent për votues, po si LDK themi të mos e tejkalojmë 500 mijë euro”, thotë Zharku për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se kjo kosto nuk pasqyron gjendjen reale në terren, dhe se “një shpenzim që sot bën gjysmë milioni [500,000 euro], në kushte normale ndoshta mund të kushtojë 200 mijë euro.”

“Por për shkak të fushatës, ato çmime janë të fryra jashtëzakonisht shumë. Kështu që partitë, edhe LDK-ja është, ose thënë më mirë i imponohet që të harxhojë shuma të tilla”, thotë ai.

Në krahasim me dy partitë e mëdha, pothuajse përgjysmë më pak synojnë t’i shpenzojnë Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Valon Tolaj, që shërben si zyrtar financiar i AAK-së thotë për Radion Evropa e Lirë se është spekulative të përmenden shifra për shpenzime rreth fushatës zgjedhore.

Ai thotë se ka ende marrëveshje të pa përmbyllura, por megjithatë këmbëngul se këto shpenzime nuk do të jetë as sa gjysma e 800 mijë eurove të lejuara nga KQZ-ja

“Nuk besoj që Aleanca do t’i tejkalojë shpenzimet e 250 – 300 mijë euro në total në të gjitha komunat, përfshirë kontraktimet mediale, me spotet publicitare, aktivitetet, tubimet zgjedhore, përfshirë edhe shpenzimet e aktivistëve tanë në ditën e zgjedhjeve, siç janë një pjesë e madhe e vëzhguesve dhe ushqimi i tyre, material propagandistik”, thotë Tolaj për Radion Evropa e Lirë.

Shumë të përafërt për shpenzimet zgjedhore jap edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ilir Cacaj, drejtues i Sekretariatit për Financa nga Vetëvendosja sqaron se planifikimi buxhetor i tyre ka nxjerr këtë shifër.

“Ne kemi bërë një planifikim buxhetor të cilin e kemi aprovuar në mbledhjen e fundit të këshillit të përgjithshëm, me të cilën parashikohet se do të na duhet të harxhojmë rreth 255 mijë euro. Sigurisht që nuk është që i kemi këto mjete. Plani është bërë vetëm për shpenzimet, të cilat ne llogarisim se do të na duhet t’i bëjmë”, thotë Cacaj.

Sipas tij, rreth 60% të këtij projektimi është rezervuar për ditën e zgjedhjeve, për vëzhguesit dhe komisionerët.

“Po përafërsisht sa i përket ditës së zgjedhjeve, për vëzhguesit, ushqimin e të tjera si këto, ne kemi paraparë rreth 150 mijë euro, sepse kemi të angazhuar një numër shumë të madh të vëzhguesve”, shpjegon Cacaj për Radion Evropa e Lirë.

Atë që Lëvizja Vetëvendosje ka planifikuar të shpenzojë vetëm për ditën e zgjedhjeve, del të jetë totali i buxhetit të planifikuar nga Aleanca Kosovare e Re, një ditë para hapjes së fushatës zgjedhore.

Jetlir Zyberaj që është këshilltar për medie i liderit të AKR-së, deklaron se për dallim prej fushatës së kaluar, shuma që do të shpenzohet në fushatën për zgjedhjet lokale, do të jetë dukshëm më e vogël.

“Ne planifikojmë diku rreth 120 mijë euro të shpenzojmë gjatë kësaj fushate. Sidoqoftë ne jemi në pritje edhe të shifrave, meqë secila komunë i ka specifikat e veta në planifikimin e shpenzimeve, që ta përmbyllim raportin e planifikimit të shpenzimeve. Por shifra sillet rreth 120 mijë euro”, thotë Zyberaj për Radion Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG