Ndërlidhjet

Zhurma kalon vijën e kuqe


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Ndotja akustike është bërë një tipar i zakonshëm në shoqërinë tonë. Niveli i lartë i zhurmës është i pranishëm, si ditën, ashtu edhe natën. Kjo zhurmë krijohet nga fabrikat, edhe pse nuk janë shumë në numër, si dhe nga aktivitetet private, qofshin këto lokale apo kafiteri.

Por, pavarësisht kësaj, në Kosovë nuk ka matje të saktë sa është niveli i zhurmës.

Këto shqetësime dhe ankesa kanë paraqitur disa qytetarë edhe tek institucioni i Avokatit të Popullit, u tha të premten në një tryezë të organizuar me temën “ Zhurma dhe ndikimi i saj në të drejtat e njeriut”.

Valbona Gola, këshilltare e Avokatit të Popullit, tha se zhurma është e pranishme në mjedisin që na rrethon dhe kjo ndikon në shkeljen e të drejtave dhe në shëndetin e njeriut.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa të qytetarëve, të cilët ndikohen në vendbanimet e tyre nga qytetarët e tjerë, nga ndërmarrësit e papërgjegjshëm. Kemi ankues që janë ankuar nga zhurma industriale. Më të zhurmshmit, kanë qenë fshatarët e Grabovcit, të cilët kanë cenim të së drejtës së privatësisë në vazhdimësi nga mihja sipërfaqësore në atë fshat”, tha Gola.

Sipas Golës, autoritetet kompetente kanë dështuar në mbrojtjen e mjedisit nga ndotja akustike.

“Avokati i Popullit gjatë shqyrtimit të lëndëve dhe hetimit të rasteve të çështjes së zhurmës dhe zbatimit të ligjshmërisë për këtë rast, ka vërejtur një moskoordinim, një konfuzion dhe një dështim të organeve për të bashkëvepruar për zgjidhjen e një problemi, apo për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme, të përshtatshme dhe sipas kritereve profesionale”, u shpreh Gola.

Edhe kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, tha se edhe pse nuk ka ndonjë matje zyrtare sa është niveli i zhurmës, sipas disa matjeve private, vlerësohet se niveli akustik në Kosovë është 20 për qind më i lartë se sa i lejuari.

Hasani theksoi se Komisioni ka marrë në shqyrtim Ligjin kundër zhurmës, por në mungesë të mjeteve buxhetore, nuk ka ndonjë rezultat.

“Zhurmë e madhë është rreth objekteve të fabrikave të mëdha, siç është Fabrika e çimentos në Han të Elezit, ‘SharrCem’, Korporata Energjetike e Kosovës, ‘Ferronikeli’. Këta janë disa indikatorë që kanë dhënë zhurmë më të madhe. Por, zhurma është matur me decibel, dhe në bazë të ligjit -70 decibil është zhurma normale që lejohet në qytete”.

“Por, ne zhurmën e masim me mjete elektronike private, që na kanë ndihmuar, zhurma në qytetet në shumicën e kohës është 100 decibil. Deri 20 për qind është më e lartë, ose e kalon vijën e kuqe”,
theksoi Hasani.

Blerta Berisha, jeton në qendër të Prishtinës. Ajo tregon se çdo ditë përballet me problemin e nivelit të lartë të zhurmës. Blerta thotë se nuk ka ndonjë afat kohor për ndërprerjen e zhurmës apo muzikës.

“Mendoj se ka shumë hapësirë për të ndërhyrë shteti, për arsye se nuk ka limit të caktuar të zhurmës dhe nuk ka afat kohor se deri në orën sa në mbrëmje mund të ketë zhurmë. Ka shumë lloje të zhurmave sidomos të kafeneve, diskove, por edhe brenda në shtëpi private, qytetarët nuk e respektojnë edhe natën e lëshojnë thithësen elektrike”, tregon Blerta.

Në tryezë, gjithashtu, u tha se problemet e lidhura me përballjen e ndotjes akustike, janë komplekse dhe kërkojnë rritjen e ndërgjegjësimit të secilit qytetar. Për të evituar krijimin e zhurmës, çdo qytetar duhet të jetë në pozicion për të kuptuar që zhurma që krijon, bëhet e bezdisshme për njerëzit rreth tij.
XS
SM
MD
LG