Ndërlidhjet

Parlamenti Evropian mbështet Kosovën drejt BE-së


Ilustrim
Ilustrim
Parlamenti Evropian ka përkrahur Kosovën në të gjitha proceset e saj dhe përkrahja do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sidomos kur bëhet fjalë për procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu deklaroi kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, pas një takimi që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në kuadër të takimit dyditor ndërparlamentar: Parlamenti Evropian – Kosova.

Kukan tha se mbarëvajtja e duhur e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit do të ndihmojë vazhdimin e dialogut Prishtinë – Beograd, i cili, siç tha ai, ka sjellë rezultate pozitive.

Kukan, në konferencën për media me kryeparlametarin Krasnqi, tha se Parlamenti Evropian, çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, do ta diskutojë dhe në Komisionin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë që t’ju ndihmojmë në këtë aspekt, duke ju dhënë ndihmë dhe duke biseduar edhe me Komisionin Evropian, në mënyrë që kjo situatë diskriminuese për popullin tuaj, të zgjidhet dhe që ju të gëzoni udhëtimin pa viza dhe lirshëm në zonën Shengen”, tha Kukan.

Kukan, deri sa foli për gjendjen e përgjithshme në vend, tha se Kosova ka nevojë për misionin e Bashkimit Evropian, në mënyre që të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar në mënyrë efikase.

“Ne kemi vërejtur disa ndryshime pozitive në strukturën e EULEX-it dhe një qasje më pozitive dhe më efikase në punën e tyre. Jam i sigurt që në të ardhmen EULEX-i do të mund t’ju bindë që do të bëjë punë të mirë këtu”, u shpreh Kukan.

Nga ana tjetër, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se në takim me delegacionin e Parlamentit Evropian janë shqyrtuar dhe debatuar në mënyrë konstruktive tema të rëndësishme të aktualitetit në vend.

Krasniqi tha se prania e delegacionit të PE-së në Kosovë, duhet të shihet si një shenjë mbështetjeje për punën e institucioneve të Kosovës në procesin e integrimit dhe përpjekjet e tyre për të formësuar Kosovën në rajon dhe Evropë.

I pari i Kuvendit të Kosovës tha se si dy delegacione kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët, e cila deklaratë mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, e po ashtu edhe çështje të tjera.

“Ishte një konstatim i përbashkët yni, se angazhimet tona, pra e kam fjalën për institucionet e Kosovës, duhet të jenë për hir të ngritjes së standardeve dhe vlerave evropiane në Kosovë dhe për një mirëqenie për qytetarët tanë, e pastaj edhe për rrugën tonë drejt BE-së”, u shpreh Krasniqi.

Sido që të jetë, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, i cili shoqërohej nga eurodeputetet Doris Pack, Ulrike Lunacek dhe deputetë të tjerë, theksoi se zgjedhjet lokale të tre nëntorit kanë një karakter komunal, por ato do të kenë ndjesi evropiane:

“Shpresojmë se këto zgjedhjet do të jenë zgjedhje të ndershme të rregullta dhe demokratike”, është shprehur Kukan.
XS
SM
MD
LG