Ndërlidhjet

Rrugë plot sfida për në BE


Nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës, në Prishtinë po vlerësohet si një zhvillim pozitiv, por edhe mjaftë i gjatë dhe sfidues.

Rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian, vlerësohet se duhet të kalojë përmes një procesi të reformave të brendshme duke veçuar edhe përparimet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në ditë e nisjes së MSA-së, Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka bërë publik edhe një raport studiues të titulluar “Marrëdhëniet BE – Kosovë në kontekstin e politikës së zgjerimit të BE-së” i hartuar nga profesori Neil Nugent, njohës mbi BE-në dhe politikën e zgjerimit të BE-së.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politika tha se raporti nxjerr në pah se para Kosovës do të ketë shumë sfida deri te anëtarësimi i saj në BE, duke pas parasysh si zhvillimin e saj ende të brishtë si shtet demokratik e deri te qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së për të mos e njohur atë si shtet.

“Procesi i anëtarësimit të Kosovës mund të jetë i ndryshëm nga ai i vendeve tjera kandidate. Kjo jo vetëm për faktin e karakteristikave të brendshëm të Kosovës, por edhe për faktin që BE-ja ka mësuar shumë nga përvojat e zgjerimit të fundit dhe gjithë këto sfida, siç është treguar edhe në rastin e fundit të liberalizimit të vizave, janë reflektuar në kritere ndaj vendeve tjera aspiruese”, tha Doli.

Në kontekst të procesit integrues të Kosovës në BE, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer tha se dita e sotme paraqet një moment të mirë të avancimit të perspektivës evropiane për Kosovën.

Ai ka folur edhe në lidhje me komplikimet që i dalin Kosovës në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian për shkak të mos njohjes së saj nga pesë vende anëtare të BE-së.

“Pesë vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën. Personalisht nuk dua të besoj që kjo do ta pengoj Kosovën shumë në rrugën e saj drejt Evropës”, tha ambasadori gjerman. Sipas tij, Kosova duhet t’i bind këto shtete se e meriton integrimin në BE.

“Kosovën e presin detyra të mëdha siç janë: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse me anëtarësimet e fundit Evropa ka pasur disa përvoja të këqija” tha Blomeyer.

Një problem tjetër në lidhje me integrimin e Kosovës, është moszgjidhja e konfliktit me Serbinë, por ai ka shprehur besimin se procesi i negociatave që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian do t’i zgjidhë edhe këto çështje, pasi që në Bruksel nuk dëshirojnë që të importojnë vende me probleme të pazgjidhura.

Ndërkaq kryeredaktori i gazetës "Koha Ditore”, Agron Bajrami tha se një faktor rëndues për Kosovën është se tashmë BE-ja ka 28 vende anëtare të cilat i kanë këndvështrimet e veta kombëtare e të cilat në fund duhet të inkorporohen në këndvështrimet finale të BE-së.

Duke qenë me një numër kaq të madh, hyrja në BE-së, sipas Bajramit tani bëhet pak sa më e komplikuar.

“Na paralajmërojnë se ky proces do të jetë goxha i gjatë dhe do t’i ketë ndërlikimet e veta. Unë do të shtoja se ndoshta ndërlikimi do të vjen, përveç faktit se ne nuk jemi aq të përgatitur sa do të donim të ishim për t’iu afruar BE-së dhe faktit se BE-ja nuk është më ajo që ishte para 10 viteve kur mund të absorbonte shtete të reja dhe kur ka vullnet politik për integrim më të madh e zgjerim”, tha Bajrami

Përndryshe, negociatat e Kosovës dhe Brukselit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit janë vetëm hapi i parë i Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Si vendi më i ri evropian, Kosova rrjedhimisht është e fundit si në procesin integrues ashtu edhe në atë të liberalizimit të vizave.
XS
SM
MD
LG