Ndërlidhjet

Analistët: Zgjedhjet në veri dështuan


Veri...
Veri...
Procesi i zgjedhjeve komunale të 3 nëntorit në Kosovë, përjashtuar katër komunat veriore, sipas analistëve në Prishtinë, konsiderohen të jenë zhvilluar në rrethana normale dhe mund të cilësohen të suksesshme.

Por, sa i përket zgjedhjeve në komunat në veri, analistët e konsiderojnë proces të dështuar.

Sipas tyre, i tërë procesi zgjedhor në komunat në veri është zhvilluar në një atmosferë aspak të këndshme dhe jo demokratike

Naimi Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se zgjedhjet në përgjithësi janë zhvilluar në rrethana normale, por ky vlerësim nuk mund të jetë për komunat në veri të banuara më shumicë serbe.

“Ajo çka i karakterizoi këto zgjedhje ishte një tentativë e mirë për të mbajtur zgjedhje në veri, për të cilët ishin bërë shumë pak përgatitje. Situata gjatë tërë ditës tregonte një atmosferë aspak të këndshme, jo demokratike dhe jo fer. Situata e sigurisë ishte jo e mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje të lira në veri dhe kjo konkludojë në fund me dështimin masiv të tyre në pjesën më të madhe të veriut”, thekson ai.

Sipas Rashitit në komunat veriore, pas incidenteve të ndodhura mund të ketë humbur shumë material zgjedhor, që realisht, siç thotë ai, i kualifikon zgjedhjet të diskredituara dhe të pamjaftueshme për të krijuar institucione.

“Zgjedhjet në veri në pjesën më të madhe janë të dështuara, në qendrën më të madhe në veri kutitë dhe votat janë shkatërruar, po ashtu janë dëmtuar vota dhe kuti në Qendrën e Fakultetit Teknik kështu që procesi i zgjedhjeve në veri ka dështuar”, vlerëson Rashiti.

Në anën tjetër, analisti Ismajl Hasani zgjedhjet komunale të 3 nëntorit i konsideron historike për Kosovën për faktin, siç thotë ai, për herë të parë në Kosovë organizohen zgjedhje të nivelit lokal në tërë Kosovën, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Megjithatë sipas tij, procesin zgjedhor e kanë dëmtuar incidentet në komunat veriore.

Në pjesën veriore të Kosovës është dëmtuar rëndë procesi dhe trendi është kah degradimi total që do të thotë zhbërja e procesit në atë pjesë të Kosovës”, thekson ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet komunale, analisti Ismajl Hasani konsideron të jetë një përqindje e kënaqshme.

Përqindja është më e lartë se sa që realisht do të duhej të ishte, marr parasysh kualitetin që subjektet politike kanë ofruar në nivel zgjedhor. Megjithatë qytetarët e kanë ndjenjën e qytetarisë shumë të zhvilluar në Kosovë, pa marrë parasysh që kandidaturat kanë lënë për të dëshiruar në nivel të komunave. Qytetarët po i përgjigjen detyrimit që kanë, pra që të shfrytëzojë të drejtën e votës”, thotë Ismajli.

Përndryshe, zgjedhjet e sivjetme lokale nga përfaqësuesit e lartë ndërkombëtar janë vlerësuar si test i demokracisë dhe rrugës evropiane të Kosovës.

Një dimension i veçantë i këtyre zgjedhjeve ishte organizimi i tyre për herë të parë edhe në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Ky fakt, nga institucionet e Kosovës është cilësuar si fillim i vendosjes së sovranitetit edhe në atë pjesë.


Sulmohen qendrat e votimit në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00
XS
SM
MD
LG