Ndërlidhjet

Mospërputhje në numrin e fletëvotimeve


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që për 61 vendvotime në territorin e Kosovës të bëhet rinumërimi i votave.

Burim Ahmetaj, nga QNR-ja, tha se për shkak të ngatërrimit të rubrikave, ato fletëvotime nuk mund të pranohen si të rregullta dhe nevojitet një hetim shtesë.

“Gjatë hetimeve të bëra në karantinë shihet se ka mospërputhje të numrit të fletëvotimeve të pranuara, të përdorura dhe të papërdorura. Po ashtu në disa raste shihet se shiritat e thasëve të fletëvotimeve kanë munguar ose nuk janë shënuar në formularët e rezultateve”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se gabime në fletëvotime ka pasur për kandidatët për kryetar komune, por edhe për kuvende komunale.

Sipas tij, probleme me disa kuti votimi ka pasur edhe me listat e votuesve, për të cilat ka kërkuar aprovimin e KQZ-së për hetim dhe mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar.

“Pas hetimit, tanimë rezulton se një pjesë e materialeve mungon. Çka është më e rëndësishme, mungon lista përfundimtare e votuesve dhe për këtë arsye nuk mund të procedohet me këto vendvotime. Gjatë pranimit nuk është pranuar ndonjë listë përfundimtare e votuesve, ndonjë formular i rezultateve, libri i votimit apo materiale të tjera që janë të ndjeshme”, tha Ahmetaj për të shtuar se edhe në votimet me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta ka pasur parregullsi.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se për ato vendvotime ku mungojnë listat përfundimtare dhe në rast se nuk gjenden as formularët ato vota do të përjashtohen nga rezultati i zgjedhjeve.

Nuk humbin asgjë nëse tentohet edhe një herë që të gjenden ato dokumente. Megjithatë ne do ta marrim vendimin edhe vendimi mbetet në fuqi nëse nuk gjendet diçka, nëse gjendet, prapë e kemi këtu drejtorin e QNR-së dhe mund të na informojë se për ndryshme disa here duhet të merret vendim”, tha Daka.

Sido që të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me rezultate përfundimtare të zgjedhjeve lokale të tre nëntorit.

Anëtari i këtij komisioni, Binak Vishaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se diku ka fundi i këtij muaji pritet të dilet me rezultate përfundimtare.

“Po besojmë se diku fundi i nëntorit 25, 26 nëntori, ka me qenë data kur ne do t’i certifikojmë rezultate edhe për asamble komunale edhe kryetar komunash. Ndërsa, numërimi i votave të veriut është në përfundim e sipër. Besojmë se sot pas dite veç do të përfundoj komplet procesi i numërimit të katër komunave të veriut duke përjashtuar tri qendrat për të cilat është vendosur të shkojnë në rivotim”, tha Vishaj.

Më tre nëntor ne ditën kur po mbaheshin zgjedhjet lokale në gjithë Kosovën në veri të Mitrovicës grupe personash të maskuar kanë sulmuar të disa qendra votimi, duke bërë që ato qendra të mbyllen para kohe.
XS
SM
MD
LG