Ndërlidhjet

Shqipëri: Protesta kundër armëve kimike


Ilustrim
Ilustrim
Me këngë patriotike dhe me thirrjet “Shqipëria zemra jonë”, ka nisur protesta e mijëra qytetarëve të Tiranës përpara kryeministrisë ditën e marte.

Protesta e organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve(AKIP), nisi në orën 13.00 sipas paralajmërimit të organizatorëve.

Por kryeministri Edi Rama nuk mund t’i dëgjonte, pasi në të njëjtën orë, së bashku me komisionerin e BE-së për zgjerimin Stefan Fyle, ishin në një konferencë të përbashkët shtypi në kuadër të mbylljes së dialogut të parë të nivelit të lartë BE- Shqipëri.

I pyetur në lidhje me mundësinë e sjelljes së shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri zoti Rama, për herë të parë ndau qëndrimin e tij me publikun:

“Në vazhdën e këtyre kontakteve ka pasur një bisedë mes meje dhe Sekretarit të Shtetit Amerikan për 30 minuta ku kemi diskutuar për këtë çështje, dhe po ju them që nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka asnjë transparencë më shumë se kaq që mund të bëhet për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne jemi bashkë me vendet e tjera në një diskutim të brendshëm dhe nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim”, tha Rama.

Po në të njëjtën linjë ka qenë edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cili nga Kukësi ka thënë se SHBA po diskuton edhe me shtete të tjera dhe se nuk është marrë një vendim konkret se ku do shkojnë të shkatërrohen këto armë.

Ndërkaq, protestat e organizuar nga AKIP u zhvendos pranë godinës së ambasadës amerikane në Tiranë.

Organizatorët kanë folur duke u shprehur se qëndrimi dhe protesta e tyre nuk është antiamerikane, por është thjesht kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.

Sazan Guri, aktivist pranë AKIP thotë:

“Ne nuk jemi pjesë e luftës, ndaj nuk mund të jemi pjesë e zgjidhjes; si pjesë e NATO-s ne kemi kontribuar me format tona, por ne nuk duam që t’u bëhet dëm 3 milionë shqiptarëve apo fqinjëve tanë, pasi ne nuk kemi asnjë lloj mbështetje për të bërë këtë lloj çarmatimi apo demontimi që kërkohet, pra ne jemi kundër armëve dhe jo kundër Amerikës. SHBA është 'Big Brother' ynë, por gjithnjë në bashkëpunim me këtë popull dhe këtë vend”, tha Guri.

Ndërsa Blendi Kajsiu, aktivist i njohur i AKIP-it tha se protestat do të vazhdojnë:

“Ne do të vazhdojmë protestat me reagim qytetar dhe mosbindje civile kundër këtij vendimi”, tha zoti Kajsiu.

Protesta e radhës kundër sjelljes së armëve kimike nga Siria në Shqipëri do të organizohet të mërkurën në orën 14.00 në sheshin Skënderbe.
XS
SM
MD
LG