Ndërlidhjet

Tirana vendos sot për armët kimike


Shqipëri...
Shqipëri...
Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama pritet që sot të shpallë në orën 17.00 vendimin për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.

Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu në një intervistë për emisionin Top Story në Top Channel tha se një përgjigje negative nga ana e Shqipërisë do të ishte zhgënjyese për Shtetet e Bashkuara.

Vendi u përfshi nga një valë protestash në Tiranë dhe qytete të tjera, ku grupe të rinjsh kundërshtojnë shkatërrimin e arsenalit sirian në Shqipëri.

Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike pritet të publikojnë sot planin për shkatërrimin e arsenalit kimik të Sirisë, kryeministri Edi Rama parashikohet që të shpjegojë pozicionin përfundimtar të Shqipërisë në këtë operacion.

Procesi i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri mund te jetë një vlerë e shtuar për qeverinë e Tiranës, politikisht - sepse Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE, dhe financiarisht- pasi ky projekt shoqërohet me një faturë të mirë financiare sipas Charles Duelfer, ish zëvendës kryetar i UNSCOM- komisionit special pranë Kombeve të Bashkuara në vitet 1990.

Shqipëria paraqet vështirësi të tjera, duke qenë një vend me infrastrukturë dhe logjistikë jo moderne si vendet e tjera Evropiane, dhe nëse merret vendimi i shkatërrimit të këtyre armëve, atëherë sipas revistës “Foreign Policy” në këtë vend do të instalohen laboratorët lëvizës të aftë për shkatërrimin e armeve kimike siriane, përmes një procesi specifik të njohur si hidrolizë-që nënkupton sasi të mëdha me ujë dhe reagjentë si hidroksid –natriumi. (m.milori)
XS
SM
MD
LG