Ndërlidhjet

Kuvendi miraton në parim buxhetin për vitin 2014


Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2014. Buxheti arriti të kaloj pavarësisht kundërshtimeve të opozitës. Votimi solli si rezultat 59 vota për, 31 kundër dhe 1 abstenim.

Në emër të Qeverisë, buxheti është prezantuar para deputetëve nga ministri i Financave, Besim Beqaj. Ai tha se projektimi i të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore është harmonizuar përfundimisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Beqaj parashikoi se në vitin e ardhshëm Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind.

“Besojmë se me këtë propozim kemi arritur që t’i financojmë kërkesat me prioritet të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike”, tha ministri Beqaj.

Në debat, gjatë orëve të pasdites është përfshi edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se ky është buxheti më i mirë që kishte Kosova deri më tani.

Ky është buxheti më i mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë në historinë e vet politike. Buxhetin zhvillimor, buxhetin e rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës. Buxhetin e investimeve në sektorin privat, në infrastrukturë; buxhet, i cili do të hapë një perspektivë më të mirë për shtetin dhe shoqërinë tonë”, theksoi Thaçi.

Përkrahje miratimit të buxhetit për vitin 2014 i kanë dhënë partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re. Kurse, tri partitë opozitare janë shprehur kundër këtij buxheti dhe formës së si është projektuar.

Në emër të LDK-së, foli deputeti Naser Osmani. Ai vlerësoi se ky buxhet nuk premton kurrfarë zhvillimi ekonomik dhe e vë ekonominë e vendit në depresion.

“Rënia e investimeve në ekonomi po vazhdon për shkak të politikave të dëmshme fiskale. Ky është buxhet shpenzues, sepse 68.5 për qind e tij është për shpenzime, paga dhe çështje sociale. Ky është buxhet për ta menaxhuar varfërinë që ka kapluar Kosovën. Qytetarët e Kosovës nuk shohin perspektivë nga kjo Qeveri. LDK nuk mund ta mbështesë këtë buxhet në të cilin nuk është bërë shpërndarje proporcionale të investimeve kapitale”, tha Naser Osmani.

Me qëndrimin kundër miratimit të buxhetit doli edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Visar Ymeri tha se buxheti është ndarë në harmoni me interesat e ministrave dhe jo në interes të vendit.

“Ne do ta votojmë kundër këtë buxhet dhe mendojmë që edhe në amandamentimin e tij, përveç nëse ndryshohet tërësisht, ky buxhet do të mbetet i njëjtë”, u shpreh Ymeri.

Vërejtjet e shumta në projektimin e këtij buxheti e shtynë edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që të jetë kundër miratimit të tij. Deputeti i AAK-së Ardian Gjini tha se projeksionet e qeverisë janë të gabuara pasi që Kosova me këtë buxhet nuk do të shënoj rritje ekonomike.

“Si mund të proklamohet rritje e madhe kur ju e shihni një rritje të GDP-së. Kjo rritje nuk është për mburrje, sepse është nën mesataren”, theksoi Gjini.

Sidoqoftë, kundërshtimet e opozitës nuk u reflektuan edhe gjatë procedurës së votimit, pasi që kundër votuan vetëm, 31 deputetë. Sipas procedurave, tani projektligji i kalon edhe procedurat e harmonizimit nëpër komisionet përkatëse dhe më pas kthehet në Kuvend për miratimin përfundimtar.
XS
SM
MD
LG