Ndërlidhjet

Maqedoni: Të rinjtë parapëlqejnë librin elektronik


Në mesin e të rinjve në Maqedoni gjithnjë e më pak është i pranishëm libri klasik, gjegjësisht në formatin e printuar, i cili me hapa të shpejtë është duke u zëvendësuar nga formati elektronik, ngase në këtë formë kushton shumë më pak dhe njëherësh më lehtë gjendet.

“Po për ne më i disponueshëm libri është në formë elektronike, sepse është më lehtë për ta gjetur meqë ne të rinjtë jemi të lidhur më shumë në internet dhe kjo është mënyrë më e lehtë për të arritur te libri i caktuar por njëkohësisht edhe më e lirë, sepse ka dhe programe të ndryshme për ta konvertuar dhe zbarkuar atë përmes rrjeteve sociale”, thekson Lindë Iseni, studente e vitit të dytë në USHT.

Edhe Ermira Bajrami shprehet se librat që i interesojnë, veçanërisht at që janë shndërruar në “Bestseller” i lexon nga “ekrani i kompjuterit.

Librat ë cilat na i japin profesorët këtu në fakultet të printuar jam e detyruar t`i lexoj në këtë formë, po ata që i lexoj sipas dëshirës, gjithsesi i gjej në internet dhe i lexoj në tablet, sepse kështu e kam më lehtë të jem me librin kudo”, thotë Ermira e cila është absolvente e gazetarisë.

Ndërkohë Bujar Hoxha, profesor i komunikimit masiv në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë konsideron se gjeneratat më të reja kanë humbur sensin e rëndësisë së leximit.

Kjo sipas tij është evidente në çdo pore të shoqërisë, pavarësisht se për cilin profesion bëhet fjalë.

Hoxha thotë se faj të konsiderueshëm në këtë drejtim kanë edhe pedagogët, duke shtuar se në kohën e zhvillimit të teknologjisë assesi nuk duhet lejuar që bazament i mësimit të jetë rrjeti elektronik, por i njëjti duhet shfrytëzuar vetëm për të plotësuar dijen.

Tek ne leximi nuk është shprehi. Dhe këtu të gjitha palët të cilat participojnë në këtë proces kanë pjesën e fajit të tyre. Pra ajo se si i shohim këto gjëra si pedagogë është se duhet të kalojë shoqëria disa faza të pjekurisë shoqërore të cilat mjerisht akoma s’i kemi kaluar, pra jemi duke i përjetuar”, thekson Hoxha.

Ndërkaq, Akademiku Ali Aliu për Radion Evropa e Lirë duke bërë një krahasim mes gjeneratave të më hershme dhe tani thotë se ajo lidhja lexues krijues dukshëm është shkëputur.

“Më duhet të theksoj se kjo është çështje brezash, deri ku do të shkojë kjo mundësi e kontaktit të leximit të librit nuk mund të thuhet me saktësi, sepse brenda vitit ndodhi çudira, me këtë teknologji do të thosha, marramendëse për botëkuptimin tonë. Ka shumë futurist lidhur me këtë çështje të cilët thonë se edhe libri elektronik përcillet me vështirësi dhe kriza”.

“Pra lejon informim të shpejtë, të shkurtër, gati enciklopedik, por nuk mundëson një formësim përmbajtësor shpirtëror, atë që e ofron të lexuarit e librave në formë klasike, duke u rikthye disa herë në një çështje”, shprehet Ali Aliu.

Gjersa drejtuesit e librarive thonë se kopjimi i librave dhe shkarkimi i të njëjtave nga interneti, ka ulur dukshëm blerjen klasike të librave krahasuar me vitet e më hershme.
XS
SM
MD
LG