Ndërlidhjet

Termocentrali "Kosova e re", ndryshime pa bazë ligjore


Termocentralet
Termocentralet
Komiteti drejtues i projektit termocentrali “Kosova e re”, prapë ka ndryshuar pakon tenderuese.

Në pako tenderuese tashmë nuk do të përfshihet miniera, kompani kjo që do të vazhdojë të jetë ndërmarrje publike.

Po vitin e kaluar komiteti drejtues nga pakoja tenderuese kishte larguar edhe termocentralin “Kosova B”.

Ekspertë të kësaj fushe dhe përfaqësues të shoqërisë civile, theksojnë se ndryshimet e bëra në pakon tenderuese, po zbehin imazhin e projektit, madje sipas tyre, po bëhen pa bazë ligjore.

Shoqëria civile vazhdimisht ka qenë kundër futjes në pakon tenderuese të minierave të linjitit dhe termocentralin “Kosova B”.

Ndryshimet e ndodhura i konsiderojnë vendime të duhura, por sipas tyre, procedurat e vendimmarrjes, nuk janë të drejta.

Përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë për Energji, thonë se këto ndryshime po bëhen pa kërkuar ndryshimin e Strategjisë së energjisë dhe pa marrë aprovimin e Kuvendit të Kosovës.

Kushtrim Puka, nga Forumi për Iniciative Qytetare, organizatë kjo pjesë e konsorciumit, thotë se ndryshimet janë bërë në mënyrë të kundërligjshme.

“Lajmi për mospërfshirjen e minierës në pakon tenderuese, që kjo ndërmarrje të mbetet nën administrimin publik, është lajm i mirë. Por, gjithashtu të gjitha këto po bëhen me një nguti, sa i përket aspektit ligjor, duke mos u miratuar strategjia dhe, në anën tjetër, po merren vendime të kundërligjshme”, thotë Puka.

Strategjia e energjisë 2009 - 2018 parasheh tenderimin e “Kosovës së Re”, në një pako me mihjet dhe “Kosovën B”. Për këtë. Puka konsideron se ndryshimet e ndodhura mund të shkaktojnë probleme në të ardhmen.

“Pa marrë parasysh nëse vendimi është i duhur apo jo, nëse ai vendim nuk është bërë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me procedurat ligjore që duhet të ndiqen gjatë një procesi tenderues, atëherë, gjithsesi kjo punë duhet të rishikohet dhe duhet të bëhet si duhet që nga fillimi. Nëse jo, një gjë e tillë pastaj mund të shkaktojë probleme në të ardhmen, po gjithashtu edhe gjatë procesit tenderues”, konsideron Puka.

Et’hem Çeku, ish-ministër i Energjisë, në kohën kur ka filluar projekti, thotë se ndryshimet e shpeshta kanë vënë në pikëpyetje zhvillimin e termocentralit.

Pas ndryshimeve, Çeku konsideron se është koha e fundit që projekti të rishikohet dhe të kthehet në fazën fillestare

“Projekti është ndryshuar disa herë dhe këto ndryshime kanë bërë që shumë kompani prestigjioze të largohen nga vendi. Ndryshimet e shpeshta, kanë bërë që projekti të vihet në pikëpyetje se si do të zhvillohet, apo të rikthehet tërësisht dhe të krijohet një strategji e re ne fushën e energjisë”, thekson Çeku.

Sidoqoftë, sipas Komitetit drejtues, termocentrali do të ndërtohet me teknologjitë dhe standardet më të larta të aplikueshme në Unionin Evropian.

Në garë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” janë katër konsorciume ndërkombëtare. Ndërkaq, në vitin 2015 pritet të fillojë ndërtimi i këtij projekti, ndërtimi i të cilit viteve të fundit vazhdimisht është shtyrë.
XS
SM
MD
LG