Ndërlidhjet

Sfidat në arsimimin dhe punësimin e të rinjve


Ilustrim
Ilustrim
Arsimi dhe punësimi janë shtyllat kryesore të një shteti, thanë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, në konferencën “Arsimimi dhe Punësimi i të Rinjve në Kosovë”, që po zhvillon punimet dyditore në Prishtinë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, deklaroi se Kosova ofron shumë mundësi për shkollim, por mundësia për t’i punësuar të rinjtë është e kufizuar.

“Mundësit e zhvillimit ekonomik janë të pakta akoma. Ky defekt ekziston gjithmonë mes atyre që aftësohen dhe shkollohen dhe biznesit ose zhvillimit ekonomik në përgjithësi. Ne, po bëjmë përpjekje në fakt që ta realizojmë atë lidhshmëri edhe përmes Odës Ekonomike dhe bizneseve në mënyrë të veçantë. Megjithatë, kjo akoma çalon siç çalon edhe në rajon pa dashur që të ngushëllohemi”, tha ministri Buja.

Ai tha po ashtu se institucionet e vendit janë të angazhuara për të bërë një infrastrukturë ligjore për të realizuar gjithë përfshirjen në arsim.

Kurse, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, deklaroi se në dy vitet e fundit, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, është arritur që të trajnohen mbi 1 mijë të rinj në fusha të ndryshme.

Ministri Krasniqi bëri të ditur se shumë nga të rinjtë e trajnuar kanë hapur vende të reja të punës ose janë punësuar.

“Në këto dy vite ne kemi arritur që të bëjmë hapa të rëndësishme të cilët përmes ideve dhe programeve inovative kemi arritur që të krijojnë një efekt pozitiv për sa i përket të rinjve dhe ndërlidhjes se me këto dy fusha të rëndësishme. Në dy vitet e fund në një bashkëpunim më Bankën Botërore përmes një programi të përbashkët ne kemi arritur që te fusha e edukimi, apo arsimimit profesional të trajnojmë rrethe një mijë të rinj”, theksoi Krasniqi.

Ai shtoi se deri më tash është arritur që të shpërndahen rreth 700 mijë euro grante të cilat janë ndarë për mbi 200 të rinj.

Edhe zyrtarët nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, deklaruan se janë të përkushtuar për të ndryshuar gjendjen e punësimit, duke krijuar mundësi më të mira për punësimit.

Por, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se institucionet e Kosovës kanë dështuar pikërisht në arsimimin kualitativ dhe punësim.

Afrim Kasolli nga Vetëvendosje, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se arsimimi dhe punësimi i të rinjve, janë dy dështimet më të mëdha të qeverisjes aktuale në përgjithësi.

“Në radhe të parë arsimimi në Kosovës është jo profesional është jo kualitativ dhe si i tillë ai nuk ofron përgatitje të duhur profesione për t’ju përgjigjur nevojave të kohës dhe ekonomisë se tregut".

"Pra, duhet ndërruar strategjia e deritanishme, duhet krijuar rrethana që arsimi të vihet në shërbim të prodhimit dhe po ashtu në të njëjtën kohë prodhimi të vij në shërbim të arsimit. Kjo ndërlidhje ndërmjet ekonomisë dhe arsimit duhet të jetë prioritet kryesor i institucioneve. Deri me tani ky instrument dhe kjo ndërlidhje ka munguar”, tha Kasolli.

Edhe të rinjtë kosovarë, thonë se për shkak të moszhvillimit të Kosovës në aspektin ekonomik, si shkollimi, po ashtu edhe punësimi është i vështirë.

Studenti i Universiteti të Prishtinës, Diell Beha, thotë se të rinjtë në vend kanë shumë probleme si për studime, e sidomos për të siguruar një vend punë.

Nuk mendoj fare që institucionet ofrojnë vende punë. Këtu është problem, po shpresoj që në të ardhmen të ketë më shumë vende pune, të ketë mundësi që krejt të shkolluarit të gjejnë vende punë. Unë për vetë studioj dhe punoj, punoj të babai”, tha Beha.

Kurse, Bashkim Balaj i cili ka përfunduar fakultetin e Gjuhës Shqipe tregon se është duke punuar, por jo në profesionin që ka.

Unë që tri vjet e kam përfunduar fakultetin, nuk kam mundur me gjet vend punë të duhur, tash punoj kamarier”, tha Balaj.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15 - 24 vjeç.

Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.
XS
SM
MD
LG