Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji për mediat përçan mediat


Ilustrim
Ilustrim
Ligjet për mediat sërish do të gjendet për miratim në Kuvendin e Maqedonisë, por ky njoftim i publikuar nga ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski, pas takimit me kryetarin e Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Naser Selmani ka shkaktuar përçarje mes shoqatave të gazetarëve.

Instituti maqedonas i mediave, sindikata e gazetarëve dhe gazetarë të tjerë, kanë kritikuar uljen në tavolinë të kreut të SHGM-së, me qeverinë dhe njoftimin e tyre për arritjen e marrëveshjes për tri nga shumë çështje kontestuese, si mospërfshirjen në ligjet hartuara të mediave të shkruara, të portaleve informative dhe zgjedhjen e një anëtari të shoqatave të mediave në këshillin e ri mediatik.

Ato thonë se për këtë takim dhe dhënien e pëlqimit këto çështje nuk janë konsultuar fare nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, që bie ndesh me koordinimet e tyre të mëhershme dhe qëndrimin e tyre qartë që të mos ketë fare ligj për mediat.

Gazetarët apo pjesa më e madhe e tyre janë të pakënaqur dhe kjo duket nga reagimet e tyre përfshirë edhe disa anëtar të këshillit drejtues të SHGM-së. Sidoqoftë do të jetë një proces i vështirë, por fillimisht duhet të vërtetojmë gjendjen faktike që të bëhet më pas një plan se si do veprojmë".

"SHGM-ja, ka për obligim të sqarojë opinionin me pozicionin e saj dhe takimin me përfaqësuesin e qeverisë. Ne, gjithmonë kemi thënë se ligj për mediat nuk duhet të ketë dhe mbetemi edhe më tej në këtë pozicion”, thotë Zhaneta Trajkovska nga Instituti maqedonas i mediave.

Nga sindikata e gazetarëve thonë se ndjehen të tradhtuar nga SHGM-ja, dhe tani do të punojnë për siç theksojnë, delegjitimimin e pajtueshmërisë së dhënë në emër të gazetarëve.

“Është fakt se ndjehemi të anashkaluar dhe të tradhtuar, por nuk e kemi luksin që të ngrinim duart dhe të heshtim dhe për këtë i detyrohemi të gjithë kolegëve tanë që kanë pësuar nga gjendja në të cilën ndodhen mediat".

"Tani gjëja e vetme që na mbetet është që të tentojnë ta delegjitimojmë dhënien e pajtueshmërisë të cilën e dha dikush në emrin tonë që të themi se shoqatat e gazetarëve nuk pajtohen me këtë që ka ndodhur. Do të jetë shumë e vështirë, por nuk do të dorëzohemi“, thotë Тamara Çausidis nga Sindikata e gazetarëve.

Por, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani hedh poshtë pretendimet e tilla duke thënë se shoqatat kanë rënë pre e gënjeshtrave të qeverisë.

Selmani thotë se pas presioneve të ndërkombëtarëve qeveria ka pranuar tri nga vërejtjet e shumta dhe këtë ajo është munduar ta paraqes si marrëveshje gjë që nuk është e vërtetë.

“Është e vërtetë se qeveria lëshoi një gënjeshtër të tillë dhe tha se ka negociuar me ne, por i lusim që në rast se vërtetë është ashtu, atëherë të tregojnë se ku kemi vënë nënshkrimin tonë dhe kush ai që ka dhënë këtë pëlqim. Është gënjeshtër e pastër të thuhet se ne kemi negociuar me qeverinë".

"E vërteta e vetme është se kanë pranuar tri vërejtje tona dhe ne këtë e kemi përshëndetur dhe njëkohësisht i kemi paralajmëruar se mospranimi i kërkesave tjera paraqet rrezik sepse do të shkaktojë probleme të paparashikuar në punën e mëtejme të medias. Ne qëndrojmë në pozicionin tonë se ligj për media nuk duhet të ketë“, thotë Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Dy ligjet e propozuara ai për mediat dhe tjetri për veprimtaritë audio dhe audio-vizuese, vlerësohen të disfavorshme dhe kufizuese për lirinë e shprehjes në veçanti një nen që lejon institucionet ndalimin e informacioneve kur vlerëson se cenohen interesat shtetit, por që nuk është i definuar qartë, pastaj kontestohet dhënia e lejeve për punë, përbërja e këshillit të mediave, licencat për gazetarët e çështje të tjera.
XS
SM
MD
LG