Ndërlidhjet

Shtyhet sërish inaugurimi i asambleve në veri


Veri...
Veri...
Është shtyrë sërish konstituimi i kuvendeve të komunave në veri të Kosovës.

Shtyrja erdhi si rrjedhojë e mosrespektimit të ligjeve dhe simboleve të Kosovës nga kryetarët e rinj të këtyre komunave, të cilët u kanë drejtuar ftesat asambleistëve duke mos i përfillur simbolet e shtetit të Kosovës.

Ndaj këtyre veprimeve, kanë reaguar fillimisht institucionet e Kosovës, më pas edhe Zyra e Bashkimit Evropian si dhe Qeveria e Serbisë.

Nga kryetarët e rinj është kërkuar të shtyjnë mbledhjet inauguruese dhe kjo ka ndodhur.

Zëdhënësja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Lumnije Demi ka thënë se komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi ende nuk kanë arritur që t'i plotësojnë kërkesat ligjore për organizim dhe mbajtjen e seancave inauguruese në mënyrë që të respektohet Marrëveshja e Brukselit dhe legjislacioni Kosovar.

“Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar nga këto komuna shtyrjen e seancave inauguruese të planifikuara për datën 24 dhjetor 2013 në mënyrë që kjo kohë të shërbej për të përmirësuar përgatitjet për mbajtjen e seancave inauguruese në përputhje me Ligjet e Kosovës”, ka thënë Demi.

Ftesa që u ishte dërguar asambleistëve për të marrë pjesë në seancën inauguruese, jo vetëm që nuk përmbante simbolet e Kosovës, por ajo kishte edhe foton e Shën Dimitrit, figurë kjo që nga serbët konsiderohet si mbrojtës i pjesës veriore të Mitrovicës.

Njëri nga liderët e serbëve të Mitrovicës veriore, Oliver Ivanoviq, thotë se i ka sugjeruar edhe kryetarit të ri të kësaj komune, Kërstimir Pantiq që të mos provokojë as asambleistët shqiptarë, të cilët kishin paralajmëruar bojkotin.

“As neve nuk duhet të na irritojë njëfarë Republike e Kosovës dhe stema e saj, por as ne nuk duhet t’i irritojmë asambleistët shqiptarë që janë zgjedhur me simbolet, që për ne janë të rëndësishme por jo edhe për ta”, ka thënë Ivanoviq.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të ri që të gjejë zgjidhje dhe të mos shkohet në opsionin e kërkimit të kompromiseve në Bruksel, sepse kjo do të ishte pengesë e funksionimit të komunave në veri.

Nëse për të gjitha çështjet duhet të shkojmë në Bruksel për konsultime, kam frikë se kjo do të ishte një qeverisje lokale jo funksionale”, ka thënë Ivanoviq.

Mosrespektimi i ligjeve dhe simboleve të Kosovës po ndodhë vetëm në katër komunat veriore, pasi që komunat tjera më shumicë serbe, sipas informatave nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë respektuar ligjet.

Ndërkaq në veri, ftesat janë dërguar edhe me emërtimin “Kosovo” me fusnotë, emërtim ky që sipas marrëveshjeve në Bruksel vlen vetëm për përfaqësimin e Kosovës në nisma e organizata rajonale.

Afati i fundit ligjor për konstituimin e organeve lokale pas zgjedhjeve të sivjetme është 12 janari. Deri atëherë u mbetet qeverive në Prishtinë dhe Beograd që në konsultime me Brukselin të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
XS
SM
MD
LG