Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave, prioritet për të gjithë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të hënën se autoritetet kosovare janë duke kërkuar që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të ketë prioritet dhe të trajtohet si e tillë nga të gjithë, përfshirë këtu edhe Brukselin.

Këto komente, kryeministri Thaçi i ka bërë në takimin e radhës për liberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës, sado që janë mirënjohëse për misionin e fundit faktmbledhës të dhjetorit, po aq janë të dëshpëruara që ky mision ka ardhur në Kosovë gati 14 muaj pas misionit të fundit faktmbledhës.

Thaçi ka thënë se me ritmin e tillë të ngadalshëm, ka shqetësime reale se “ky proces kaq i rëndësishëm për vendin dhe qytetarin tonë do të vonohet edhe më shumë”.

“Ajo çka kemi kërkuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian është që të kemi interaksion më të madh. Të kemi misione faktmbledhëse, të kemi raportime me të shpeshta nga ana e tyre dhe në përgjithësi të intensifikohet agjenda e liberalizmit të vizave edhe nga ana e Brukselit”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar është shprehur se pavarësisht ritmit të Brukselit karshi Kosovës, institucionet e vendit duhet të bëjnë edhe më shumë punë për liberalizimin e vizave.

“Si kurrë më herët pres nga të gjithë ju që të tregoni rezultate konkrete dhe të matshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative që janë prezentë në shoqërinë tonë”, ka thënë Thaçi.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane thotë se institucionet kosovare kanë shënuar përparime në fushën e liberalizimit të vizave, por megjithatë, sipas tij, mbetet ende punë për t’u bërë.

"Sigurisht që progres ka, sidomos në ketë bllok që është vlerësuar. Por, të mos harrojmë në anën tjetër se gjatë këtij viti kemi pasur trendë negative për sa i përket numrit të azilkërkuesve nëpër vendet e Schengenit. Ka progres, por mbetet shumë për t’u bërë. Personalisht jam i shqetësuar se kaluan 23 muaj dhe ende nuk shihet drita në fund të tunelit", tha Muharemi.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës këtë proces duhet ta vështrojë edhe nga aspekti i kushteve socio-ekonomike në vend.

"Kjo çështje ka të bëjë edhe me situatën socio-ekonomike në Kosovë, me kushtet e jetesës dhe gjenerimin e punësimit. Kjo qeveri nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim. Nuk ka agjendë të zhvillimit ekonomik, nuk ka agjendë të programit të punësimit. Dhe sipas modelimit dhe propozimit që e kanë bërë, situata nuk dallon nga vitet tjera", tha zoti Muharremi.

Ndryshe, në tetor të vitit 2012 ishte realizuar vizita e parë e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian, kurse vizita tjetër e këtij misioni u realizua nga data 2 deri më 6 dhjetor të këtij viti.

Misioni kishte ardhur në Kosovës për të bërë vlerësimin e përmbushjes së kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.

Zyrtarët e institucioneve kanë thënë se vlerësimet fillestare kanë qenë pozitive, por që publikimi i atyre vlerësimeve nga misioni pritet të publikohen në fillim të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG