Ndërlidhjet

Vlerësimet e vonshme të Kuvendit


Ilustrim
Ilustrim
Pas më shumë se dy muajsh kur është publikuar Raporti i Progresit për vitin 2013, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar atë dhe është konstatuar se gjetjet e raportit janë reale.

Deputetët, kryesisht, folën për gjetjet e raporti që kishin të bënin me krimin e organizuar, korrupsionin dhe përmbushjen e detyrave që dalin për procesin integrues dhe liberalizmin e vizave.

Lidhur me çështjen e fundit, ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, tha se raporti ka evidentuar progres dhe, sipas saj, hapja e negociatave për MSA-në, nuk është dhuratë që i është bërë Kosovës, por është rezultat i përmbushjes së kritereve afatshkurtra.

“Puna drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian vetëm sa ka filluar, nuk ka përfunduar. Procesi i integrimit evropian nuk është proces negocimi. Procesi i integrimit evropian është proces i brendshëm transformimi, i cili merr kohë dhe i cili kërkon përkushtim jo vetëm nga Qeveria, por nga të gjithë akterët e përfshirë”, tha Çitaku.

Kurse, deputetja Donika Kadaj – Bujupi, e cila foli në emër të Grupit parlamentar të AAK-së, që edhe ka iniciuar këtë debat, tha se konstatimi i raportit është se Kosova ende po ballafaqohet me pamundësinë dhe paaftësinë e institucioneve të saj për të treguar rezultate në ushtrimin e funksioneve themelore të shtetit.

“Institucioneve të Kosovës u është kërkuar që të orientojnë politikat publike në adresimin politikave që lidhen me sundimin e ligjit, me funksionimin demokratik të institucioneve dhe zhvillimin tutje të agjendës evropiane”.

“Raporti i qartëson se janë pikërisht këto probleme që Kosovës i pamundësojnë dhe vazhdojnë t’ia pamundësojnë liberalizimin e vizave dhe do të shtyjë edhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Përfundimet që i nxjerr ky raport janë shqetësuese”, u shpreh Kadaj - Bujupi.

Ajo tha, po ashtu, se “nuk mjafton që të themelohen Këshilla, të cilët takohen njëherë në vit dhe të konstatojnë të gjeturat që korrupsioni po e shkatërron vendin, ndërkohë që rreth tryezës janë përgjegjësit kryesorë për ta luftuar korrupsionin, e që fatkeqësisht janë edhe protagonistët kryesorë të kësaj dukurie”.


Kurse, deputetja Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se institucionet e vendit duhet urgjentisht t’i adresojnë mangësitë e identifikuara në Raportin e Progresit.

Sipas Osmanit, mospërmirësimi i parregullsive dhe vërejtjeve në raport, do të paraqesë probleme dhe vonesa në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave.

“Deri tani, pavarësisht sfidave të mëdha dhe ngecjeve të kohëpaskohshme në plotësimin e kritereve të përcaktuara nga ana e Komisionit Evropian, Kosova ka pasur fatin që të flasin, po thuajse të gjithë njëzëri sa i takon perspektivës evropiane të vendit”, theksoi Osmani.

Ajo shtoi se nëse bëhet një krahasim me raportin e vitit të kaluar dhe këtij të vitit 2012, siç u shpreh ajo, kanë mbetur shumë çështje pa u adresuar. Sipas saj, disa nga ato çështje, janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Raporti i fundit i Progresit, ka evidentuar mosfunksionimin e demokracisë në Kosovë.

Fakti që Qeveria e neglizhon Kuvendin, do të thotë që në Kosovë nuk po funksionon principi bazë i demokracisë, u shpreh deputeti Konjufca.

“Në vendet ku shqyrtohen çështjet më të ndjeshme të korrupsionit të nivelit të lartë, siç është Prokuroria Speciale e Shtetit, ka pengesa politike, mungesë fondesh dhe mungesë mbështetjes profesionale. Kjo tregon se politikanët e profilit të lartë i frikësohen hetimit dhe drejtësisë”, tha Konjufca.

Sido që të jetë, deputetët kanë konstatuar se procesi i integrimit evropian dhe ai për liberalizmin e vizave për Kosovën janë shumë sfiduese.
XS
SM
MD
LG