Ndërlidhjet

KE publikon sot raportet e progresit


Bruksel
Bruksel
Komisioni Evropian publikon sot raportet e progresit për shtetet që synojnë anëtarësimin në BE.

Në draft-raportin për Kosovën, që ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se Brukseli shpreson të nisë negociatat për Marrëveshjen e Sabilizim Asociimit me Prishtinën në fund të tetorit dhe ta përmbyllë atë verën e ardhshme.

Draft-raporti thekson edhe rëndësinë e zgjedhjeve të rregullta lokale, që do të mbahen më 3 nëntor në Kosovë.

Ai po ashtu thotë se Kosova duhet të bëjë reforma të mëtejshme në sundimin e ligjit dhe gjyqësor.

Në raportin për Serbinë, Brukseli ka vlerësuar angazhimin e këtij vendi për arritjen e marrëveshjes me Kosovën, por ka nënvizuar nevojën për përmirësime në fusha të tjera.

Raporti thotë se Serbia duhet të punojë më shumë sa i përket sferës së drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së personave, të cilët zbulojnë të dhëna për afera të tilla.

Komisioni Evropian pritet t’iu rekomandojë sot vendeve anëtare që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE. Rekomandimi do të vijë pas katër vjetësh që kur Shqipëria ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për anëtarësim.

Komisioni Evropian kritikon Maqedoninë për korrupsion, por është i përgatitur të rekomandojë hapjen e bisdimeve me të, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Maqedonia ka qenë kandidate zyrtare për BE që tetë vjet, por ajo ka ngecur në procesin e integrimit për shkak të kontestit të emrit me Greqinë – një mosmarrëveshje kjo që mbetet e pazgjidhur për dy dekada.

Në lidhje me Bosnjën, draft-raporti i fundit i Komisionit Evropian, i cili është parë nga REL, thotë se ky vend ka ngecur në procesin e integrimit evropian, derisa shtetet e tjera kanë lëvizuar përpara.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Bosnjës kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për dy kërkesa të Brukselit.

Njëra ka të bëjë me diskriminimin e pakicave kombëtare në procesin zgjedhor, ndërsa tjetra me nevojën e një mekanizmi të vetëm në Bosnjë për koordinimin e marrëdhënieve të vendit me BE-në.

Pavarësisht se Mali i Zi është aktualisht shteti më i avancuar në rajonin e Ballkanit, në përpjekjet për anëtarësim në BE, Brukseli i bën thirrje atij që të vazhdojë reformat në gjyqësor dhe sundim të ligjit.

Komisioni Evropian thekson nevojën për më shumë profesionalizëm dhe transparencë në shërbimin civil të këtij vendi.

Ai po ashtu bën thirrje për hetime sistematike dhe ndjekje ligjore për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë ato në nivele të larta.
XS
SM
MD
LG