Ndërlidhjet

“Kosova e Re”, shumë ndryshime - pa rezultate


Termocentrali Kosova A
Termocentrali Kosova A
Projekti që do të zgjidhë krizën energjetikë në Kosovë; projekti më i shtrenjtë; ndërtimi fillon këtë apo atë vit; projekt i dështuar; projekt që duhet të fillojë nga zeroja... Këto janë shprehjet më të shpeshta, që e kanë përcjellë më se një dekadë me radhë projektin për Termocentralin “Kosova e Re”, përgatitjet për të cilin filluan në vitin 2001.

Ky projekt, gjatë kësaj periudhe pësoi shumë ndryshime, në radhë të parë termocentrali kishte 2100 megavat, pastaj projekti riemërohet nga Termocentrali “Kosova C” në “Kosova e Re”, ku prapë ulet kapaciteti prodhues në 1000 megavat.

Ndërkaq, ndryshimi i tretë bëhet kur shpallet tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat, pastaj nga pakoja tenderuese hiqet ndërtimi i Termocentralit “Kosova B”.

Kurse, në vitin e kaluar po nga pakoja tenderuese hiqen minierat e qymyrit.

Si do që të jetë, në garë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë katër konsorciume ndërkombëtare. Kurse, zyrtarë qeveritarë thonë se nga mesi i këtij viti do të zgjidhet kompania fituese, në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojë ndërtimi.

Sipas tyre, kapaciteti prodhues i termocentralit me investime direkt private të huaja, është i rangut 2 x 300 MW të instaluar. Çmimi i realizimit të projektit do të varet drejtpërdrejt nga oferta që do të paraqitet nga investitori i para-kualifikuar dhe sidomos nga përzgjedhja e ndërtuesit të projektit.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje energjetike konsiderojnë se projekti është i dështuar dhe si i tillë, duhet të fillojë nga zeroja. Ethem Çeku, ish-ministër i energjisë në kohën kur ka filluar projekti, thotë se ndryshimet dhe devijimet e shpeshta, e kanë zbehur imazhin e projektit.

“Ndryshimet e shpeshta kanë bërë që projekti të jetë në pikëpyetje se si do të zhvillohet. A do të zhvillohet apo duhet të rikthehet tërësisht, të ndërtohet një strategji e re në fushën e energjisë”.

“Unë mendoj se largimet dhe devijimet e shpeshta i kanë bërë më shumë dëm ekonomisë së Kosovës dhe vetë prestigjit të Kosovës, se sa që kanë arritur të sjellin ndonjë rezultat apo ndonjë progres të caktuar”, thotë Çeku.

Shoqëria civile vazhdimisht ka kritikuar punët që kanë ndodhur rreth këtij projekti. Fillimisht, shoqëria civile ka qenë kundër futjes në pakon tenderuese të minierave të linjitit dhe Termocentralit “Kosova e Re”.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, ndërkaq thotë se ndryshimet e fundit i konsiderojnë të duhura, por që janë ndërmarrë pa bazë ligjore.

“Gjithnjë e më shumë, në të gjitha vendet e botës është bërë më e vështirë, për të ndërtuar termocentrale me bazë qymyri, për shkak të kritereve të reja, qoftë për emetim karboni apo edhe teknologjisë që duhet të përdoret. E, këtë Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta kuptojë se një termocentral i ri në Kosovë është një projekt i pamundur, shto kësaj që ndër vite Qeveria e Kosovës ka ndryshuar kriteret e termocentralit, qoftë duke rritur apo ulur kapacitetet e prodhimit të energjisë, por edhe duke i ndryshuar kushtet e tenderit”, shprehet Demi.

Në vitin 2006, për të parën herë Qeveria e Kosovës kishte shpallur tenderin për ndërtimin e termocentralit të ashtuquajtur “Kosova C”.

Por, projekti, tashmë i quajtur “Kosova e Re” është përcjellë nga katër ministra dhe gati me ndërrimin e çdo ministri, pësuan ndryshimet në pakon tenderuese.
XS
SM
MD
LG