Ndërlidhjet

Kerry: SHBA dhe BE-ja përkrahin protestuesit ukrainas


John Kerry
John Kerry
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë të shtunën se populli i Ukrainës është i angazhuar në luftë për demokraci dhe se e ardhmja e këtij shteti nuk duhet të vendoset me forcë.

Gjatë fjalimit të tij në saje të Konferencës për Siguri në Munich të Gjermanisë, kryediplomati amerikan tha se askund nuk është më e rëndësishme lufta për të të ardhmen demokratike evropiane, sesa sot në Ukrainë.

“Përderisa në çdo situatë kaotike, ka elemente të pakëndshme në rrugë, shumica e ukrainasve duan të jetojnë të lirë në një shtet të sigurt dhe të begatë, dhe ata po luftojnë për të drejtën e tyre, që të bashkohen me partnerët të cilët do t’i ndihmojnë të përmbushin aspiratat e tyre, dhe ata kanë vendosur që kjo nënkupton se kjo nuk duhet të vendoset me forcë”, ka thënë sekretari amerikan.

Kerry ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, qëndrojnë pranë popullit të Ukrainës, në të drejtën e tyre për vendimmarrje.

Ai ka thënë se “Rusia dhe vendet e tjera nuk duhet t’i shohin integrimet evropiane të fqinjëve të tyre, si lojë me shumë zero”.

Ditë më parë presidenti i Ukrainës ka nënshkruar një ligj me të cilin amniston të gjithë të protestuesit e burgosur dy muajt e fuyndit, por me kusht që protestuesit të lirojnë të gjitha ndërtesat qeveritare, të cilat i kanë okupuar.

Po të premten, forcat e armatosura ukrainase i kanë bërë thirrje presidentit Viktor Yanukovych që të ndërmerr “hapa urgjent” për të stabilizuar shtetit, dhe t’i jap fund krizës dy muajshe politike e cila ka krijuar kaos në kryeqytetin Kiev.

Të shtunën, ndërkaq, qeveria ukrainase ka ngritur akuzë kundër një protestuesi anti-qeveritar, Dmytro Bulatov, i cili pretendon se ishte kidnapuar dhe torturuar, për shkak të përfshirjes së tij në protesta.

Autoritetet kanë kërkuar që Bulatov të vendoset në arrest shtëpiak, pasi aktivisti i zhdukur për më se një javë, është shfaqur në opinion të premten, ku ka thënë se persona të panjohur e kanë mbajt në terr në një bodrum, dhe ia ka prerë pjesërisht njërin vesh.

Tridhjetepesëvjeçari është duke u mjekuar në spital, dhe nën vëzhgim të rreptë të policisë shtetërore, ndërsa autoritetet thonë se po e sigurojnë atë.

Të paktën katër protestues kanë humbur jetën dhe dhjeta të tjerë janë lënduar, prej se kanë filluar protestat në Kiev në muajin nëntor.

Tri viktima ishin vrarë me plumba gome, ndërsa viktima e katërt është gjetur i vdekur me shenja të dukshme torture.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Anders Fogh Rasmussen, në ndërkohë, ka thënë gjatë samitit global në Munchen se protestuesit kanë të drejtë të kërkojnë të drejtat e tyre, pa qenë të shtyrë nga askush.

"Ukraina duhet të ketë lirinë që të zgjedh vet rrugën e saj, pa pasur çfarëdo presioni nga jashtë”, ka thënë Rasmussen.

Mirëpo, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar politikanët evropian se po ndihmojnë në destabilizimin e Ukrainës.

Ai ka pyetur: “Çfarë lidhje ka nxitja e protestave me promovimin e demokracisë?”

Konferenca e Sigurisë në Munich, e cila mbaron të dielën, adreson çështje ndërkombëtare përfshirë edhe krizën në Ukrainë, luftën në Siri, programin bërthamor të Iranit, dhe vëzhgimin që po e bëjnë Shtetet e Bashkuara në internet.

Kerry pritet të takohet sot edhe me liderët e opozitës ukrainase në margjina të konferencës në Munchen.

Liderë opozitarë Arseniy Yatsenyuk dhe Vitali Klitschko kanë thënë të shtunën se druajnë që ushtria do të ndërhyjë në shpërndarjen e protestës në Kiev.

Yatsenyuk ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të paralajmërojë presidentin Viktor Yanukovych që një veprim i tillë eventual i forcave të armatosura, nuk do të kalonte pa ndëshkuar nga fuqitë botërore.

Protestat në Ukrainë shpërthyen pas refuzimit të presidentit Yanukovych që të nënshkruaj një marrëveshje për përafrim me Bashkimin Evropian.

Si rrjedhojë, Yanukovych udhëtoi në Moskë ku presidenti rus Vlladimir Putin i akordoi Ukrainës një kredi prej 15 miliardë dollarë, si ndihmë për tejkalimin e krizës ekonomike.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG