Ndërlidhjet

Intepretime të kundërta të rezultateve


Ilustrim
Ilustrim
Për shkak të dyshimeve që në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit nafta që është përdorur për ngrohje ka nivele të larta sulfuri, edhe të hënën në shumicën e shkollave nuk është mbajtur mësimi.

Përderisa Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë, kanë thënë se mësimi duhet të fillojë, pasi rezultatet e analizave tregojnë se nafta e përdorur është konform standardeve të lejuara, në Komunën e Prishtinës, e cila edhe ka urdhëruar ndërprerjen e mësimit, theksojnë se nga 7 mostrat e marra deri më tash, vetëm 2 kanë rezultuar se janë konform normave të lejuara.

Jusuf Thaçi, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë thotë se mësimi do të rifillojë të martën në shkollën “Dardania” dhe institucionin parashkollor "Dielli", kurse institucionet tjera parauniversitare nuk do të fillojnë punën deri sa të ketë përgjigje zyrtare nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Instituti do të na rekomandojë nëse guxon ose jo të fillohet procesi edukativo arsimor nëpër ato institucione ku niveli i sulfurit në naftë e tejkalon shumëfish normat e lejuara me udhëzimin administrativ përkatës”, thekson Thaçi.

Megjithatë, Thaçi thotë se do të kërkojë nga kryetari i Komunës që mostrat t'i dërgojë për analiza të mëtutjeshme edhe në institute evropiane të analizave.

Komuna e Prishtinës të premten ka mbyllur 43 institucione shkollore, dy prej tyre parashkollore, nën dyshimet se vlera e sulfurit të gjetur në ngrohëset e këtyre institucioneve tejkalon vlerën e lejuar.

Por, zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, theksojnë se nuk ka nevojë për panik, sepse analizat e kësaj ministrie rezultojnë më nivel normal të sulfurit.

Visar Bajraktari, udhëheqës i divizionit për rregullimin e tregut të naftës, brenda departamentit për rregullimin e tregut të naftës dhe mallrave strategjike, thotë se inspektorati i tregut ka marrë mostrat në tri shkolla.

“Prej tyre njëra ka dalë 631 ppm sulfur, 175 ppm dhe 84 ppm. Të gjitha këto rezultate janë jashtë kërkesave të cilësisë për dizel, megjithatë janë brenda kërkesave të cilësisë sa i përket vajrave për ngrohje".

"Kjo është e lejuar në bazë të udhëzimit administrativ që është në fuqi edhe me direktivën evropiane. Pra nuk ka nevojë për panik. Gjithashtu dua të shtoj se nuk mund të klasifikohet një karburant si kancerogjen duke u bazuar vetëm në përmbajtjen e sulfurit”, shprehet Bajraktari.

Në anën tjetër, kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, në rrjetin social Facebook ka thënë se kompania furnizuese ka konfirmuar se komunën e ka furnizuar me naftë dizel me vlerë sulfuri prej 10 ppm, por niveli në disa rezervarë mbërrin deri në 700 ppm.

Ndryshe, në vitin 2011 ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për cilësinë e karburanteve të naftës, me të cilin ndalohet importi i derivateve të naftës me njësinë matëse të sulfurit “50 ppm”, dhe lejohet vetëm me atë “10 ppm”, që i bie 1 pikë sulfur në 50 litra naftë.

Ramadan Buzhala, ish kryesues i Këshillit për Licencim të Naftës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se askund, e sidomos në institucionet edukativo- arsimore nuk lejohet që derivatet e naftës të tejkalojnë normën e lejuar, që është 10 ppm.

“Vajra për ngrohje janë ato vajra të cilat përdoren për ngrohje të kazanëve, industri – jo për ngrohje në institucione, jo në institucione ku nuk ka filtra dhe tymtar të lartë. Ndërsa ajo që këta thonë se lejohet, naftë për ngrohje me 1 për qind sulfur, ajo është përdorim strikt në industri, si fabrikat e bllokave, baza e asfaltit, do të thotë me një kufizim që BE e përkufizon deri në ku ose në cilat kushte teknologjike përdoret me filtra, oxhak të lartë”, thotë Buzhala.

Në anën tjetër, Bernard Nikaj, ushtrues i detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, të dielën ka thënë se ka një dallim mes naftës që përdoret për ngrohje dhe asaj që përdoret për makina.

Por, Nazmi Bytyqi, ish udhëheqës i Shoqatës se Naftëtarëve, thekson se në Kosovë nuk ka ligj që lejon importin e derivateve për djegie, derivat ky që përdoret në shtetet tjera.

Sipas tij, në Kosovë importohet vetëm naftë me vlerë sulfuri prej 10 ppm...

“Kosova nuk ka ligj për naftë për ngrohje. Ligji nuk e përcakton ende. Në vendet e perëndimit dhe rajonit ekziston nafta për djegie, e rregulluar më ligj”, thotë Bytyqi.

Sidoqoftë, kompania importuese “HIB Petrol” në një komunikatë për media ka thënë në shtatë vitet e fundit nuk ka importuar fare naftë industriale.

Në komunikatë po ashtu thuhet se kontrata në fuqi, e lidhur me 8 shkurt 2012, ndërmjet HIB Petrol dhe Komunës së Prishtinës, malli referohet si “naftë për ngrohje dhe gjeneratorë”, pa asnjë specifikacion tjetër.

Duke respektuar këtë, kompania ka bërë furnizim me naftë për ngrohje të tipit “Eurodiesel 10ppm”, e cila nuk është naftë industriale, por është naftë standarde, konform Udhëzimit Administrativ të MTI-së Nr 07/2012.

Rezultatet nga Instituti për Shëndetin Publik pritet të publikohen në orët e pasdites të së hënës.
XS
SM
MD
LG