Ndërlidhjet

Ligjshmëria e zgjedhjeve serbe në Kosovë


Insistimi i autoriteteve të Serbisë që zgjedhjet parlamentare të këtij vendi të organizohen edhe në Kosovë, sipas modelit të vitit 2012, ka ngjallur reagime të ndryshme nga ana e ekspertëve të së drejtës kushtetuese dhe njohësve të proceseve zgjedhore në vend.

Reagime të ndryshme ka ngjallur edhe kundërshtimi i Qeverisë së Kosovës, i publikuar në mediat vendore, se nuk do të lejojnë hapjen e qendrave të votimit, por vetëm qendrat e grumbullimit.

Eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mbajtja eventuale në Kosovë e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, për të cilën gjë kjo e fundit insiston, do të ishte e kundërligjshme dhe jashtë suazave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, edhe autoritetet e Kosovës duhet t’i shmangen, siç i quan ai, kalkulimeve të rrezikshme.

“Janë të papranueshme, për arsye se nuk ka as një precedent normal të veprimit normal të kësaj natyre që një shtet i pavarur dhe sovran të organizoj ose të lejoj organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër".

"Qeveria e Kosovës bën mirë që nuk pranon, por nuk bën mirë që kalkulon ‘le të mbahen qendrat e grumbullimit'. Lejon që përsëri, në prapaskenë, që OSBE të bëjë këtu gjënë e padëshiruar, duke vepruar, po ashtu, në mënyrë të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese për kinse organizimin e zgjedhjeve”, thotë Baraliu.

Por, Adnan Merovci, ish-kryeshef ekzekutiv të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata është specifike dhe ndaj saj Kosova duhet të reagojë si shtet.

Sipas tij, qytetarët që kanë dyshtetësinë mund t’i realizojnë të drejtët e tyre për të votuar për zgjedhjet e vendit tjetër, shtetësinë e të cilit e kanë.

“Në rastin konkret dhe me specifikat që i kemi ndërmjet veti (Kosova dhe Serbia), ne si shtet – meqenëse ata kanë të drejtë dhe kanë aftësi juridike për të votuar edhe në një shtet tjetër- nuk na takon, nuk është demokratike dhe nuk është ligjore".

"Për të mos thënë nuk është kushtetuese, që një qytetar me nënshtetësi të dyfishtë, ta pengojmë për të votuar në zgjedhjet, për të cilat është juridikisht i aftë për të votuar. Mirëpo, në rastin konkret, ne duhet të pajtohemi ose të pranojmë vetëm ato që nuk e prekin elementin e sovranitetit dhe shtetësisë tonë. Në këtë rast, këto mund të vijë në ndihmë, fjala vjen, OSBE”, shprehet Merovci.

Në anën tjetër, profesor Baraliu, thekson se vlerësimi i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës mund të jetë organizata ndërkombëtare relevante e cila mund të organizojë qendrat e grumbullimit është i gabuar.

Ai ka theksuar se edhe “qendrat e grumbullimit”, që sipas tij është frazeologji e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës, janë në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës.

“Nuk është në përputhje as me Ligjin për zgjedhjet qendrore dhe zgjedhjet lokale, si dhe nuk është në përputhje fare me legjislacionin tonë. Nuk ka kuptim dhe nuk ka asnjë bazë për të vepruar në atë mënyrë. Dihet se si ekzistojnë teknikat elektorale. Ekzistojnë qendrat e votimit, vendvotimet dhe asgjë më tepër”, thotë Baraliu.

Ndryshe, Merovci ka theksuar se ende ka mungesë informacioni se si do të dukej organizimi i qendrave të grumbullimit.

“Janë përmendur qendrat e grumbullimit, ndoshta ku do të kishte ndërmjetësuar OSBE. Jemi pak të hendikepuar për shkak të informacioneve teknike rreth kësaj. Por, në parim janë dy momente. Momenti i parë që mund tu lejohet dhe duhet tu lejohet, por momenti i dytë, për shkakto specifikave, duhet tu lejohet, por në suaza të mos prekjes së kushtetutshmërisë së Kosovës”, thekson Merovci.

Megjithatë, profesor Baraliu ka theksuar se zgjidhja e vetme, sipas tij, që të mos cenohet kushtetutshmëria e vendit, është shkuarja e qytetarëve që kanë dyshtetësi në vendin përkatës ku mbahen zgjedhjet - në rastin konkret në Serbi - dhe të votojnë atje.
XS
SM
MD
LG