Ndërlidhjet

Opozita synon mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë


Kabineti qeveritar, foto nga arkivi
Kabineti qeveritar, foto nga arkivi
Subjektet politike në opozitë po bëjnë përllogaritjet finale në përpjekje të thirrjes së mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Aktualisht, tri partitë opozitare thonë se po konsultohen edhe me një grup të pavarur deputetësh, pasi që për rrëzimin e qeverisë u duhen të paktën 61 vota në Kuvend.

Tashmë, qeveria besohet se ka dëshmuar se nuk i ka 61 votat e mbijetesës. Mirëpo, as opozita në anën tjetër nuk e ka numrin e mjaftueshëm të votave për rrëzimin e saj.

Mbijetesën qeverisë po ia siguron një numri i deputetëve që janë larguar nga partitë e koalicionit dhe tani nuk i përkasin asnjërit tabor.

Për gjendjen e krijuar në institucione dhe nevojën që Kosova sa më shpejt t’i nis përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, së fundit i është drejtuar edhe një letër presidentes Atifete Jahjaga nga ana e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mirëpo presidentja vetëm i kishte sqaruar më pas Haradinajt të gjitha rrugët ligjore që çojnë deri te zgjedhjet.

Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini thotë se institucionet janë në agoni kështu që duhet gjetur rrugë legale për shpalljen e zgjedhjeve.

“Institucionet nuk po mund të votojnë. Nuk po mund të kenë shumicë. Është një grumbull i pavarur i deputetëve që po votojnë sipas bindjeve të veta, çka është e drejtë e tyre".

"Nuk po kërkojmë zgjedhjet ë jashtëzakonshme, por po kërkojmë nga
presidentja t’i nis konsultimet në pajtueshmëri me forcat politike dhe t’i shpallim zgjedhjet për shkak se Kosova është bllokuar”
, ka thënë Gjini.

Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse ka nominuar tashmë liderin e saj Isa Mustafa për postin e kryeministrit, ende nuk po e vlerëson momentin që të inicojë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se nisma do të ndërmerret vetëm në momentin kur opozita do t’i ketë 61 votat që do ta rrëzonin qeverinë aktuale.

“Ne nuk i hymë një pune që s’do t’i dalim zot. Dhe kur konsiderojmë apo
konstatojmë se këtë mund ta bëjmë edhe do ta bëjmë. Ne jemi duke i bërë të gjitha vlerësimet dhe me kohë do të dalim me qëndrime”
, është shprehur Beqiri.

Te partitë e opozitës ka një konfuzion rreth numrit të deputetëve që do ta votonin rrëzimin e qeverisë çka do të çonte në zgjedhje të parakohshme.

Deputeti Visar Ymeri nga radhët e Vetëvendosjes u vë faj subjekteve tjera opozitare pse nuk i janë bashkuar një nisme të kahershme të këtij subjekti politik për thirrjen e mocionit të mosbesimit.

“Ne konsiderojmë që numrat do të bëheshin mirëpo ka munguar vullneti i shumë- anshëm për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Ymeri.

Ndaj pretendimeve të opozitës, përgjigjet shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Ai beson që qeveria do ta përmbyllë mandatin dhe zgjedhjet do të thirren në vjeshtë.

“E them bindshëm që koalicioni është shumë stabil. Institucionet janë stabile. Për katër vjet rresht i kemi dëgjuar të njëjtat deklarata dhe besoj fuqishëm që edhe për katër vite do t’i dëgjoni të njëjtat deklarata”, ka deklaruar Grabovci.

Në bazë të analizave të njërit nga subjektet parlamentare, tri partitë opozitare dhe fraksioni i PDK-së bashkë me ata që po quhen deputetë të pavarur kanë 58 vota në Kuvend. Kështu që opozitës besohet se do t’i nevojiten edhe 3 vota të tjera për të thirrur mocionin e mosbesimit.

Në rast se mocioni do të thirrej dhe do të dështonte, një nismë e tillë, sipas Kushtetutës nuk do të mund të iniciohej pa kaluar edhe 90 ditë të tjera.
XS
SM
MD
LG