Ndërlidhjet

Nafta, “jashtë kontrollit”


Ilustrim
Ilustrim
Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës, nga disa pronarë të këtyre operatorëve dhe udhëheqës të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

Latif Kryeziu, pronar i kompanisë “ Al Petrol” thotë se në tregun e derivateve të naftës zhvillohet krimi ekonomik. Ai, madje, thotë se shqetësues mbetet fakti se në treg qarkullon naftë jocilësore.

Në mungesë të kontrollimit dhe monitorimit, Kryeziu thekson faktin se në Kosovë importohet gazoili, mazuti, vaji bazik. Ndërkaq, rafineritë në Kosovë, në emër të përpunimit të këtyre lëndëve djegëse, nuk i plotësojnë kushtet për këtë çështje.

“Këtu është një krim ekonomik, shumë ordinar, shumë i thjeshtë, i cili duhet të goditet me forcën e ligjit dhe t’i jepet fund të gjitha kompanive të favorizuara, të gjitha kompanive të kriminalizuara, siç janë organizatat që merren me qarkullimin e derivateve të naftës, të cilat më së paku qarkullojnë naftë. Ato qarkullojnë diçka tjetër dhe e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, e dëmtojnë konsumatorin dhe shëndetin e popullit”, shprehet Kryeziu.

Remzi Shaqiri, pronar i kompanisë së derivateve të naftës “Granit Petrol” në Mitrovicë, thotë se kompanitë e mesme të kësaj fushe, pësojnë nga kompanitë e favorizuara nga pushteti. Ai këtë e mbështet më faktin se në rast të aplikimit për ndonjë tender në institucionet publike, gjithnjë fitojnë kompanitë e njëjta.

Edhe Shaqiri konsideron se cilësia e derivateve të naftës nuk është në nivelin e duhur.

“Ka dyshime. Nafta që importohet nga vendet e ndryshme është e cilësisë së duhur, është e vërtetë. Por, këtu brenda vendit, ka disa kompani që fusin derivate: si vaj solar, derivate bazike, të cilat tani mund të keqpërdoren. Unë nuk i njoh këto kompani, por e di që ndodhin këto raste”, pohon Shaqiri.

Se cilësia e naftës nuk është cilësore, thotë edhe Fadil Berjani, udhëheqës i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Për këtë ai fajëson Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila, sipas Berjanit, me trupat inspektues në Doganë, shumë pak bëjnë kontrollin e derivateve të naftës.

“Kur shihet se sa importi i naftës bëhet, prej gjithë sasisë së importit, vetëm tre për qind të saj i është kontrolluar cilësia. Dhe, kjo është brengosëse dhe shoqata në mënyrë kategorike kërkon që çdo autobot që hyn në Kosovë, të kontrollohet dhe të dihet se çfarë produktesh po hyjnë në Kosovë. Cilësi të mirë të derivateve ka, por po iu lejohet që të sjellin cilësinë e keqe, sepse nuk ka monitorim, nuk ka kontrollim në kufi”, vlerëson Berjani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se në tregun e naftës nuk ka monopol, por parregullsitë ekzistojnë si në sektorët tjerë, parregullsi këto që ministria mundohet t’i eliminojë.

Muharrem Pozhegu, kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kontrollet në këtë sektor janë të vazhdueshme.

“Gjatë vitit të kaluar për cilësi kemi ngritur procedurë kundërvajtje për 47 subjekte, kurse për licencë, për 83 subjekte ekonomike. Ndërkaq, për tregti të palejuar, janë iniciuar tri kërkesa për kundërvajtje, me ç’rast ka pasur edhe sekuestrime të mallit”, bën të ditur Pozhegu.

Sipas udhëzimit administrativ për cilësinë e derivateve të naftës, në Kosovë lejohet vetëm importi i derivateve të naftës me njësinë matëse të sulfurit 10 ppm.
XS
SM
MD
LG